Lionel Messi është ylli i gjeneratës aktuale të futbollistëve dhe futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, sipas mesfushorit të Manchester City dhe Gjermanisë, Ilkay Gungodan.
Kapiteni i Barcelonës është pesë herë fitues i Topit të Artë, njëlloj si Cristiano Ronaldo, dhe nga shumë vlerësohet si njëri prej lojtarëve më të mirë në histori, transmeton Gazeta Express.
Messi dhe Ronaldo janë përsëri në garë për Topin e Artë, përkrah yllit holandez Virgil van Dijk, i cili e udhëhoqi Liverpoolin drejt fitimit të trofeut në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.
Derisa debati Messi vs Ronaldo vazhdon tash e një dekadë, Gundogan nuk ka dyshim se sulmuesi argjentinas është më i miri që ia kanë parë sytë.
I pyetur se kush është më i miri në histori, Gundogan tha: “Lionel Messi”.
“Sipas mendimit tim, ai ka aftësi shumë të veçanta. Ai ka talent dhe gjithmonë ia del ta shfaqë atë në fushë. Ai ka instinkt për t’i marrë vendimet e duhura në fushë gjithmonë. Në përgjithësi, askush nuk ka cilësi më të mëdha sa Lionel Messi”, shtoi ai.
“Ai është ylli i gjeneratës sime dhe futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve. Shpresoj se do të mundë ta shikojmë duke luajtur edhe për disa vjet të tjera”, përfundoi ai. /Gazeta Express/