Gundogan thotë se për asnjë moment nuk e ka menduar largimin nga kombëtarja gjermane edhe përskaj ofendimeve dhe racizmit të treguar ndaj tij
Pas takimit, i cili bëri bujë të madhe në media ku protagonist ishin Ilkay Gundogan, presidenti i Turqisë Erdogan dhe Mesut Ozil, ylli i Manchester Cityt ka thënë se për asnjë moment nuk e ka menduar largimin nga kombëtarja gjermane. Mesfushori është shprehur se është ndjerë shumë i ofenduar nga racizmi që është shfaqur ndaj tij dhe kolegut të tij, lojtarit të Arsenalit. “Ne jemi sulmuar shumë nga njerëzit, jemi fishkëllyer shumë nga tifozët, por mbi të gjitha jemi fyer nga një politikan gjerman. E si mos të shqetësohem pastaj. Por asnjëherë nuk e kam menduar largimin nga kombëtarja gjermane. Nuk jam njeri që ia mbath. Do të përballem me situatën sido që të jetë”, është shprehur Gundogan. Para disa javësh, lojtari i Arsenalit nëpërmjet një postimi në Twitter ka njoftuar publikun e gjerë se më nuk do të jetë pjesë e kombëtares gjermane. Mesfushori me tipare sulmuese tha se nuk mund ta durojë këtë racizëm që po shfaqet ndaj tij dhe mos respektin që po tregohet nga shteti për të cilin kishte dhënë mund e djersë. Takimi mes Gundoganit, Ozilit dhe presidentit të Turqisë ishte bërë në muajin maj.