Të enjten Christian Pulisic luajti me kombëtaren amerikane në Wembley, në një humbje 3-0 ndaj Anglisë në miqësore. Pikërisht mesfushori ishte ndër lojtarët e paktë që shkëlqeu për SHBA-në, duke treguar edhe një herë se është ndër lojtarët më interesantë në qarkullim, aq më shumë që bëhet fjalë për një futbollist që është vetëm 20 vjeç.
Ylli i Dortmundit ka kohë që ndiqet me interes të madh nga klubet më të pasur në planet dhe klubi gjerman e ka të qartë se nuk do të arrijë ta mbajë gjatë në ekip, por e tillë është edhe politika e klubit, sepse për oferta të çmendura askush nuk do të mbahet me zor, për të investuar më pas te talente të rinj, si Sancho, që po mahnit Europën.
“Daily Mail” në Angli raporton se Chelsea është gati të nisë sulmin final për të rrëmbyer mesfushorin amerikan, i cili ka kontratë deri në 2020 në Dortmund. Janë gati rreth 80 milionë euro, për të mbyllur gjithçka që në janar, sepse klubi londinez e ka me shumë ngut.
Një hetim për shkelje të rregullores në lidhje me transferimin e lojtarëve minorenë mund të bëjë që Chelsea të dënohet he të mos operojë do në merkato për një ose 2 sezone, ndaj në janar duhen kryer blerje të fuqishme, për të qenë të kompletuar në rast bllokimi të merkatos nga FIFA.
Pulišić nuk ka ndërmend të rinovojë në Dortmund, sipas “Daily Mail, por nga ana tjetër Dortmundi për herë të parë pas shumë vitesh nuhat aromë titulli, ndaj zor se shet ndokënd që në janar, edhe pse në ndeshjet e fundit Pulisic është lënë në stol.
Chelsea, apo klube të tjera, pak rëndësi ka, sepse e ardhmja e Pulisic është në Premier League dhe këtë e ka shprehur qartë edhe babai i tij, Mark, që në korrik: ” Premier League është një kampionat që Christian e adhuron dhe pret me padurim që të luajë. Është e kotë të flasim për një karrierë shumë-vjeçare te Dortmundi, sepse në futbollin modern nuk ka më lojtarë që luajnë gjithë karrierën me një klub”.