“23 vjet-23” këngë janë përzgjedhur për të garuar në festën e këngës që sjell fëmijë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Organizatorët thonë se edhe ky edicion është konceptuar që t’i ngjajë një spektakli, ku përveç këngës do të ketë valle, të ftuar specialë …, shumë surpriza e argëtim për fëmijët
Shkup, 19 nëntor – Edicioni i 23-të i Festivalit i këngës për fëmijë do të ngrejë siparin më 19 nëntor (të shtunën) në Teatrin Popullor. 23 vjet-23 këngë janë përzgjedhur për të garuar në festën e këngës që sjell fëmijë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Organizatorët thonë se edhe ky edicion është konceptuar që t’i ngjajë një spektakli, ku përveç këngës do të ketë valle, të ftuar specialë…, shumë surpriza e argëtim për fëmijët. Tekste dhe muzikë e zgjedhur nga krijuesit më të mirë do të vijnë nën interpretimin e talenteve të vegjël, duke sjellë më të mirën e muzikës shqiptare për fëmijë.
“Ka këngë të bukura, zëra të talentuar, të ftuar special, një këngëtare nga Tirana që do të dëshmojë se çfarë do të thotë të këndosh…, ftojmë të gjithë t’na ndjekin të shtunën”, thotë për gazetën KOHA, drejtori i përgjithshëm Adem Ymeri. Pavarësisht peripecive me të cilat po përballet në vite ky festival vazhdojnë të punojnë për të fort për të mbajtur traditën. Edicioni i sivjetshëm i festivalit mori një mbështetje shumë të vogël financiare nga sponsorët e saj kryesorë, që krahasuar me vitet e tjera vjen duke u zvogëluar. Sipas Ymerit, ndjeshmëria që duhet të kenë dhe përgjegjësia që duhet të mbajnë institucionet gjatë ndarjes së buxhetit për kulturën duhet të jetë e lartë, sidomos kur bëhet fjalë për mbështetjen e ngjarjeve meritore dhe serioze të kulturës, por që po ashtu lidhen me edukimin e fëmijëve. Organizatorët ngrenë shqetësimin për indiferencën institucionale të treguar, sidomos kur interesimi i fëmijëve për të marrë pjesë në këtë manifestim muzikor çdo vit është edhe më i madh.
“Ne do mundohemi që të paktën të jemi nën nivelin e vitit të kaluar. Por e pakuptueshme mbetet mbështetja financiare e minimizuar që na jepet, sidomos nga ato këshilltarë dhe anëtarë komisionesh shqiptarë të cilët duhet të mendojnë se ia vlen të mbështetet ky projekt për fëmijët shqiptarë”, thotë Ymeri. Sponsorë kryesorë janë Ministria e Kulturës, Qyteti i Shkupit, T-Mobile, komuna Çair…, gazeta KOHA, e të tjerë. (koha.mk/E.H.)