Janë diku 98 role deri më tani në këtë moshë që kam brenda karrierës time, nga më të ndryshmet dhe nga gjini të ndryshme teatrore, qoftë tragjike, dramë komedi. Duhet të ndajmë shaping nga sheqeri sa i përket roleve dhe gjithmonë krijoj distancë në mosndikimin e tyre. Natyrisht se roleve të mëdha kryesore lënë pasoja tek aktori, por duhet të kemi kujdes që të mos përsëritemi në personazhe tjera
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Ylber Murtezi sot është ndër aktorët shqiptarë më të shquar dhe më kritikë në vend, ndërsa teatri vazhdon të jetë miku i tij më besnik. Pasi tani e kupton fare mirë peshën e teatrin dhe e përjeton thellësisht atë, puna e tij nuk mbaron me përfundimin e shfaqjes dhe mbylljen e perdeve. Ai e sheh teatrin si një fushë, e cila ka stagnuar në kohë dhe nuk po ecën përpara. Edhe përkundër kapaciteteve të aktorëve dhe kuadrove profesionale, ai thotë se gjenerata e tij nuk e ka arritur kulmin për dallim nga aktorët e vjetër, të cilët në kohën e tyre ishin pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare të vendeve të ndryshme në botë. Si fëmijë, ai kalonte pjesën më të madhe të kohës në prapaskenën e teatrit. Atë botë, me sytë kureshtarë të një fëmijë, i vëzhgonte me vëmendje në rolin e spektatorit aktorët që ushqenin me art publikun, pa pasur një pasqyrë të qartë se çka në të vërtetë nënkupton ajo. Në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA njohim më ndryshe atë..
KOHA: Si ndiheni duke qenë se jeni një nga aktorët dhe personazhet më të njohur e më të dashur shqiptarë?
Natyrisht se për të arritur këtu ku jam unë sot është ndjenjë e mirë, por nga ana tjetër – suksesi është pasojë dhe reflektim i gjithë punës dhe djersës që është akumuluar viteve të kaluara, por sot suksesi më i madh për një aktorë është të ngjitesh në maje duke ecur në tokë.
KOHA: Ndjen nostalgji nga koha para shumë vitesh kur ka pasur shumë xhirime e projekte e tash që gjërat kanë ndryshuar?
Nostalgji gjithmonë kam pasur dhe ende kam për kohën e kaluar, sa i përket profesionit në këtë rast xhirimeve, rolet e mia në karrierë, mendoj se secila etapë dhe periudhë kohore i jam përshtatur momentit sa i përket angazhimeve, kam pasur një periudhë viti 2010-2015 ku në shenjë proteste nga ana ime e kam pa të arsyeshme mosangazhimin tim me bindje se koncepti teatër duhet të funksionojë ndryshe.
KOHA: Ke xhiruar edhe nëpër kohëra të vështira, megjithatë ia ke dal me shumë sukses?
Teatri gjithmonë ka pasur sukses në kohëra të vështira, tek e fundit është misioni ynë dhe detyrë që të veprojmë kur shoqëria, pushteti ka nisur të devijojë, do të thosha gjithmonë kemi qenë korrektorë i këtyre fenomeneve.
KOHA: Si është raporti me kolegët tuaj në vend dhe në rajon, mban kontakte me to për ndonjë bashkëpunim në projektet e radhës?
Natyrisht se ky profesion është kolektiv dhe deshëm ose jo jemi të obliguar të bashkëpunojmë mes vete, qoftë këtu ku punojmë dhe frymojmë qoftë me kolegët nga rajoni, pas premierës së fundit ”Bregu i pikëllimit” në teatrin shqiptarë besoj se brenda vitit me ftesë të festivalit në Tiranë jemi prezantuar me shfaqjen “Ashensori për kuzhinë” një projekt privat me aktorin Mentor Nuredini.
KOHA: Fëmijërinë e ke kaluar në…? Si ka ndikuar fëmijëria dhe jeta juaj deri më tani në formimin e karakterit dhe identitetit tënd?
Fëmijëria ime një pjesë e saj e kam kaluar në vendlindje në Opajë të Likovës, gjithmonë kokën e kthej pas për vendlindjen, meqë prindi im merret me të njëjtin profesion viteve të 90-ta ishim të detyruar të shpërnguleshim në Shkup. Një botë krejtësisht tjetër, sado që dikush mund të mendoj se jeta në metropol është më dinamike dhe më e mirë unë kam bindje dhe mendje në fshat, mandej vazhdova shkollën e mesme e normalisht fakultetin e artit dramatik. Babi ishte kundër që unë të merresha me të njëjtin profesion, mbase i kishte nuhatur gjërat më herët, por isha i vendosur që të vazhdoj me këtë profesion. Dua të cek se shtytës kryesorë ishte aktori i madh tashmë i ndjerë Sefedin Nuredini që më stimuloj të merrem me këtë profesion. Nuk kam ëndërruar asnjëherë pasi gjithmonë ia kam lënë kohës sepse personalisht mua më udhëheqë intuita.
KOHA: Rolet që keni luajtur e reflektojnë personalitetin tënd?
Janë diku 98 role deri më tani në këtë moshë që kam brenda karrierës time, nga më të ndryshmet dhe nga gjini të ndryshme teatrore, qoftë tragjike, dramë komedi. Duhet të ndajmë shaping nga sheqeri sa i përket roleve dhe gjithmonë krijoj distancë në mosndikimin e tyre. Natyrisht se roleve të mëdha kryesore lënë pasoja tek aktori, por duhet të kemi kujdes që të mos përsëritemi në personazhe tjera.
KOHA: Për mendimin tënd, çfarë e bën aktorin me role të bukura dhe të veçanta?
Nuk kam aversion ndaj roleve të vogla apo të mëdha, sepse për mua vlen parimi aktorë të vegjël dhe të mëdhenj dhe jo role episodike dhe kryesore.
KOHA: Cili është çelësi i suksesit?
“Ngritu në maje, duke ecur në tokë” çelësi i suksesit. Një ndër kriteret kryesore është kolegialiteti dhe respekti i dyanshëm mes kolegëve dhe suksesi është i garantuar, egoizmi shkatërron gjithçka e skena nuk e lejon këtë.
KOHA: Sa përkrahje kanë artistët në vendin tonë? Ka ndodhur ndonjëherë që jeni zhgënjyer nga përkrahja institucionale?
Kohëve të mëhershme, artistët nuk kanë pasur përkrahje sa duhet dhe as që janë stimuluar, por me marrjen e kulturës – gjërat kanë nisur të ecin mbarë sepse marrin hisen e tyre, tani gjërat po vijnë në binarë të duhur.
KOHA: Planet për të ardhmen?
Sapo mbaruam projektin e radhës në teatrin shqiptarë ”Bregu i pikëllimit” nga Teki Dervishi në regji të Altin Basha, që ishte i planifikuar të bëhet për hapjen e objektit amë. Shumë pak kohë ka për pushim meqë na pret Tirana me projektin tjetër ”Ashensori për kuzhinë”. Artistët gjithmonë kanë nevojë për një Katarzis, pastrim shpirtërorë dhe pushim për mua është natyra, planet e mia janë jashtë vendit ku besoj se djersa dhe mundi im do të shpërblehet.