“Maestro” i Mançester Sitit, Kevin de Bryne, sulmuesi i Mançester Junajted, Romelu Lukaku dhe “magjistari” i Liverpulit, Mohamed Salah, kanë zbarkuar në Angli për të luajtur me Çellsi, por janë larguar pa lënë mbresa në “Stamford Bridge”. A janë penduar londinezët që i lanë të largohen? Le t’i hedhim një sy karrierës së secilit prej lojtarëve që u larguan si të dështuar nga Çellsi, por janë vendimtarë në edicionin e sivjetshëm të Premier Ligë.
Kevin De Bryne
Te Çellsi (2012-2014), u shit te Volfsburg për 24 milionë euro në janar 2014, aktualisht te Mançester Siti
Pjesa më e madhe e specialistëve mendon se për momentin ai është futbollisti më i mirë i Premier Ligë dhe po udhëheq Siti në krye të kampionatit. Çellsi e mori në janar të vitit 2012, duke paguar plot 10 milionë euro te Genk në Belgjikë dhe duke i ofruar një kontratë pesë vjeçare. Këto veprime treguan besimin e klubit te aftësitë e tij, por gjatë kohës së ishte trajner Roberto Di Matteo dhe Çellsi fitoi Çampions Ligë, De Bryne u huazua te Verder Bremen. Ai menjëherë u përshtat në Gjermani dhe e mbylli sezonin me 10 gola dhe 10 asistime me fanellën e Verder Bremen. Te Çellsi u largua Di Matteo dhe vendin e tij për pak kohë Rafa Benitez, përpara rikthimit të Hoze Murinjos në verën e vitit 2013. Një numër i madh skuadra gjermane u interesuan për De Bryne, por Murinjo e mori me vete në fazë përgatitore. Megjithatë, minuta nuk ishin të mjaftueshme në pjesën e parë të kampionatit, pavarësisht disa aktivizimeve sporadike në Premier dhe Çampions dhe me kërkesë të futbollistit ai u shit te Volfsburg në janar 2014 për 24 milionë euro. Çellsi përfitoi edhe ekonomikisht nga futbollisti që luajti vetëm nëntë ndeshje me fanellën blu. Me rikthimin e tij në Bundesligë, De Bryne u afirmua si “as”. Në 73 ndeshje me Volfsburgun ai shënoi 20 gola dhe dha 37 asistime, teksa në vitin 2015 u zgjodh futbollisti më i mirë i sezonit në Bundesligë. Mançester Siti e bleu në gusht 2015 për 65 milionë euro, duke fituar garën me disa klube në Europë. Në Premier Ligë, belgu ka ruajtur një nivel fantazi me 46 asistime në 106 ndeshje të luajtura dhe nuk po përmendim 26 golat. Puna me Guardiola dhe kalimi nga sulmues krahu në organizator e kanë bërë një kandidat për të qenë futbollisti më i mirë i planetit.
Romelu Lukaku
Te Çellsi (2011-2014) u shit te Evertoni, për 35 milionë euro në qershor 2014, aktualisht te Mançester Junajtedi
Një tjetër futbollist belg, që prej talentit të pamasë, u ble nga Çellsi në moshë shumë të re, por “Stamford Bridge” mbeti utopi për të. Lukaku ra në sy me fanellën e Anderleht duke shënuar 39 gola në dy sezone. Në gusht 2011, Çellsi e mori për 13 milionë euro, duke mposhtur konkurrencën e madhe që ishte krijuar rreth 18-vjeçarit, pasi e bindi me një kontrate pesë vjeçare. Trajneri i Çellsi ishte Andre Villas-Boas dhe gjithmonë ideja e klubit ishte huazimi i tij për të krijuar përvojë në kampionat. Në vitin 2012, Çellsi fitoi Çampions Ligë, por Lukaku nuk luajti asnjë minutë në këtë veprimtari. Më pas, Çellsi realizoi planin, duke e huazuar lojtarin te Uest Bromviç Albion. Lukaku bëri një paraqitje të shkëlqyer me 17 gola në 35 ndeshje. “Synimi im është të luajë me Çellsi në të ardhmen,” – deklaroi ai në shkurt 2013. Megjithatë, qendërsulmuesi belg nuk ishte në planet e Hoze Murinjos, kësisoj vendosi të transferohet te Everton. Në vitin e tij të parë në “Goodison Park”, Lukaku shënoi 16 gola dhe e ndihmoi Everton të renditej në vendin e pestë, duke arritur edhe një numër pikësh rekord për klubin, 72. Të gjithë menduan se Çellsi do ta rikthente në shtëpi, por “blutë” blenë Diego Kosta nga Atletiko Madrid, ndërsa belgu kërkoi shitjen përfundimtare sepse nuk mund të qëndronte në stol. Everton e bleu për 35 milionë euro dhe ai u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Në tre sezone, duke llogaritur të gjitha veprimtaritë ai shënoi 20, 25 dhe 26 gola. Nisi të konsiderohet si një nga qendërsulmuesit më të mirë të planetit dhe Mançester Junajted shpenzoi 90 milionë euro për ta marrë. Në 9 ndeshjet e para me “djajtë” shënoi 10 gola duke vendosur rekord.
Mohamed Salah
Te Çellsi (2014-2016), u shit te Roma për 16 milionë euro në gusht 2016, aktualisht te Liverpuli
Forma e shkëlqyer e Mohamed Salah me Liverpulin në këtë sezon, që e ka parë të shënojë 12 gola në të gjitha veprimtaritë, ka ardhur si “tronditje” për ata që e patën dhe e larguan nga Çellsi. Ai mbërriti në Londër në janar 2014 nga Bazeli, por rreth 15 milionë euro, pasi kishte shkëlqyer në Çampions Ligë me klubin zviceran. Te Çellsi u përball me konkurrencën e Eden Hazard, Andre Shurrle, Oskar dhe Uillian, por faktikisht duhet thënë se Murinjo i dha disa mundësinë në Premier Ligë, gjatë pjesës së dytë të sezonit. Në fillim të sezonit të ardhshëm, situata ndryshoi rrënjësisht. Ai luajti vetëm 30 minuta deri në janar kur vendosi të largohet drejt Italisë, te Fiorentina. Sulmuesi, që ishte 22 vjeç, luajti shumë mirë te Fiorentina, por nuk donte të rikthehej në Firence dhe kur Çellsi vendosi ta huazojë sërish zgjodhi të shkojë te Roma. Në kryeqytetin italian, në sezonin 2015-15, shënoi 15 gola dhe dha 9 asistime. Kjo nuk i mjaftoi Çellsi ta rikthehen në “Stamford Bridge” dhe me vendim të Antonio Konte e shiti te Roma për 16 milionë euro në gusht 2016. Salah luajti vetëm 16 ndeshje me “blutë”. Në sezonin e kaluar, Salah shkëlqeu përfundimisht me 19 gola dhe 15 asite në “Stadio Olimpico”. Kjo bëri që çmimi i tij të shkojë 60 milionë euro, shifra të Liverpulit pagoi për ta marrë nga Roma. Tifozët në “Anfild Road” janë të lumtur që Çellsi nuk besoi te egjiptiani…