Young Boys, kampionët e Zvicrës, do të bëjnë debutimin e tyre në fazën me grupe të Champions League pas gjashtë tentativave të dështuara. Shorti, gjithsesi, nuk ka qenë me fat për ata, duke parë se janë pjesë në të njëjtin grup me Juventus, Valencia dhe Manchester United, me këta të fundit që do të jenë kundërshtari i tyre i kësaj të mërkure.
Zviceranët e dominuan kampionatin e kaluar, të mbyllur 15 pikë para Basel-it, skuadra që mundi 1-0 United në Zvicër sezonin e kaluar të Champions League. Young Boys e ka nisur këtë sezon aty ku e la, duke marrë gjashtë fitore në gjashtë ndeshjet e para të kampionatit dhe duke siguruar një avantazh prej tetë pikësh në krye të renditjes.
Gjithsesi, skuadra e Bernës nuk ka patur të njëjtin sukses në kompeticionet europiane, duke fituar vetëm 3 nga 12 ndeshjet e fundit (3 fitore, 4 barazime, 5 humbje). Përballë tyre, këtë të mërkurë, do të jetë United, një skuadër që fitoi grupin në sezonin e kaluar të Champions-it, por që ka humbur dy ndeshjet e fundit të luajtura në Zvicër.
Pavarësisht nga kjo, ekipi i Jose Mourinho mbetet shumë i vështirë për t’u mundur, siç tregojnë 3 humbjet e vetme të pësuara në 20 takimet e fundit europiane (13 fitore, 4 barazime, 3 humbje). Pas humbjes së pësuar në transfertën e parë të këtij sezonit të Premier League, United ka fituar dy ndeshjet e fundit të luajtura larg shtëpisë dhe duket se po gjen formën e duhur.
Gjithashtu, United ka shënuar mesatarisht dy gola në fazën me grupe të sezonit të kaluar në Champions. E vetmja ndeshje që nuk kanë shënuar ka qenë ajo e luajtur dhe humbur në Zvicër kundër Basel-it.