Xixëllonjat rrezikojnë zhdukjen. Ashtu sikurse ndikimi i njeriut është mjaft i dëmshëm për bletët apo specie të tjera kafshësh e insektesh, është bërë toksik edhe për ato që ndriçojnë gjatë netëve verore. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti amerikan Tufts në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, janë tre arsyet kryesore që kolonitë e tyre janë në pakësim të theksuar.
Kërcënimi primar është humbja e habitatit natyror, pasi xixëllonjat kanë nevojë për kushte mjaft specifike për të përmbushur ciklin e tyre jetësor. Së dyti, është ndotja vizive, pasi dritat artificiale gjatë 100 viteve të fundit kanë pësuar një rritje dhe zgjerim të jashtëzakonshëm. Kjo gjë jo vetëm ndërpret bioritmin natyral, por ndikon drejtpërdrejt në ritualet e çiftimit.
Xixëllonjat përdorin bioluminishencën për të tërhequr partnerin, dhe prania e dritës artificiale ndryshon ritmet e ritualit, me pasoja të rënda. Dhe së fundit, sikurse për jetën në Tokë, pesticidet gjithashtu kanë një ndikim shkatërrues për specien e tyre. Sipas kërkuesve, objektivi është që këto insekte të vijojnë të ndriçojnë netët e njerëzimit, dhe për ketë nevojitet sensibilizim dhe objektiva të qartë që të japin rezultat.