Qëndron një grua mbrapa ofertës që i është bërë Kaka-së nga Kina. Emri i saj është Wen Xiaoting, 26 vjeç, dhe është vajza e presidentit të Zhicheng Enterprise Group Investment. Pavarësisht moshës së re, ajo drejton një klub futbolli: Guizhou Hengfeng Zhicheng, që drejtohet nga trajneri spanjoll Gregorio Manzano, i cili ka zënë vendin e tetë në kampionatin e kaluar. Një rezultat i mirë për një ekip që sapo është ngjitur në kategorinë kryesore kampionatit kinez.
Këtë javë, Wen Xiaoting është takuar me Kaka dhe babanë e tij Bosco Leite në Milano, duke i ofruar ish-yllit të Milan një kontratë të pasur. Por lojtari duket se nuk është i bindur. Wen Xiaoting (që ka studiuar për modë në Angli) ka qenë në Itali edhe gushtin e kaluar dhe me atë rast ka vizituar “Casa Milan”, stadiumin e “San Siro”-s dhe ka ndjekur ndeshjen kundër Cagliari-t. Gjithashtu, ajo ka qenë edhe në Milanello dhe në qendrën sportive në Vismara, aty ku është takuar me përgjegjësin e sektorit të moshave të kuqezinjve, Flippo Galli, që i ka shpjeguar punën e bërë me ekipet zinxhir.