Partia Komuniste e Kinës ka votuar për të ruajtur emrin dhe ideologjinë e presidentit aktual Xi Jinping në Kushtetutën e saj, duke e ngritur atë në nivelin e themeluesit Mao Ce Dun. Votimi unanim për të përfshirë “Mendimin e Xi Jinping” erdhi në fund të Kongresit të Partisë Komuniste, që konsiderohet si aktiviteti më i rëndësishëm politik i Kinës. Xi Jinping ka rritur në mënyrë të vazhdueshme kontrollin e tij në pushtet që nga viti kur u bë lider në 2012. Kjo lëvizje do të thotë se çdo sfidë ndaj tij tani do të shihet si një kërcënim për sundimin e Partisë Komuniste. Më shumë se 2,000 delegatë u mblodhën në sallën e madhe të Pekinit për procesin e miratimit përfundimtar për të ruajtur “Mendimin e Xi Jinping mbi socializmin me karakteristikat kineze për epokën e re”, të gjitha këto të shkruara në Kushtetutën e Partisë Komuniste të Kinës. Në fund të procesit, delegatët u pyetën nëse kishin ndonjë kundërshtim, ndaj të cilëve ata u përgjigjen me zë të lartë se nuk kishin asgjë kundër. Udhëheqësit e mëparshëm të Partisë Komuniste të Kinës i kanë përfshirë ideologjitë e tyre në Kushtetutë ose mendimin e partisë, por asnjë, përveç themeluesit Mao Ce Dunit, nuk e ka quajtur filozofinë e tyre si “mendim”, i cili vendoset në krye të hierarkisë ideologjike. Vetëm Mao dhe Ceng Shiaoping kanë pasur emrat e tyre të bashkangjitur me ideologjitë e tyre dhe emri i Ceng u shtua në Kushtetutë vetëm pas vdekjes së tij.