Entoni Xhoshua është shprehur i gatshëm të duelojë me Deontay Vilder në një përballje për unifikimin e titujve kampionë në peshat e rënda, por ka shtuar se kjo sfidë do të zhvillohet sipas kushteve që do të diktojë ai.
28-vjeçari britanik mbrojti pak kohë më parë titujt kampionë bote të peshës së rënda në kategoritë IBF dhe VBA, kur mundi me “KO teknik” Karlos Takam. Të njëjtën gjë bëri edhe Uilder, që mundi Bermane Stiverne fundjavën e kaluar me “KO” dhe mbrojti titullin e kategorisë VBC. Ndaj, të gjithë mendojnë se kjo përballje mes dy kampionëve nuk mund të evitohet më. Ndërkohë që, një i tretë që pritet të ndërhyjë në këtë mes është edhe Josep Parker, kampion i kategorisë VBO.
“Nëse Vilder nuk bën një ofertë të qartë, atëherë sfida do të bëhet sipas kushteve të mia. Do t’i shkoj me një ofertë dhe më pas do të shohim se si do të reagojë”, ka thënë Xhoshua, duke hedhur kështu një hap drejt marrëveshjes. Deklaratë që nënkupton se bisedimet kanë nisur. “Kjo ofertë do t’i shkojë si Vilder ashtu edhe Parker. Ata janë të dy në të njëjtën situatë. Për mua nuk ka problem nëse Vilder do të ndeshet që në fillim të vitit tjetër, por ai nuk më ka bërë asnjë ofertë. Ndërsa unë po e bëj këtë ofertë dhe Eddi (menaxheri i britanikut) po shkon në Amerikë me një të tillë. Negociatat nuk bëhen në rrjete sociale”, u shpreh më tej Xhoshua, që duket se është më konkret se dy rivalët e tjerë për një përballje që do të unifikonte titujt.