Majkëll Xhordan është një prej legjendave më të mëdha të botës së basketbollit. Ai ka gjashtë unaza të arta të NBA-s duke fituar po aq herë titullin e kampionit në ligën më të fortë të basketbollit në botë. Ai së fundi ka folur rreth transfereve dhe përforcimeve të ekipeve para fillimit të sezonit të ri, e cila gjë po e shqetëson “Air” Xhordanin. Ish-basketbollisti 54-vjeçar ka pohuar se shumë shpejt do të ndodh që nuk do të ketë ekipe garuese në NBA, pasi që po krijohet një disbalanc i madh mes ekipeve të forta dhe të dobëta. “Unë mendoj se në aspektin më afatgjatë këto transefere do ta dëmtojnë ligën nga pikëpamja konkurruese. Do të keni një ose dy skuadra që do të jenë të shkëlqyeshme dhe 28 të tjera do të jenë mbeturina, ose do ta kenë të vështirë të mbijetojnë në mjedisin e biznesit”, tha Xhordan. Vitin e kaluar, Kevin Durant la Oklahoma Siti për t’u bashkuar me Golden Stejt Uarriors. Këtë vit, Karmelo Entony dhe Pol Xhorxh iu bashkuan Russell Uestbruk te Oklahoma Siti, duke krijuar një tjetër ekip të ashtuquajtur “të jashtëzakonshmit”. Ndryshe, Xhordan tash e sa kohë është pronar i skuadrës Charlotte Hornets ndërsa lavdinë më të madhe e mori gjatë qëndrimit disavjeçare te Çikago Bulls.