S’do mend që qeverisja e Presidentit Bajden do të jetë e sfiduese por në këtë situatë komplekse vështirë që do të mund të kishte një person më të kalitur për ta rikthyer Amerikën që njohim dhe që e adhurojmë
Nga Sefer SELIMI Jr.
Pamjet tronditëse të 6 Janarit në Uashington D.C. e shtangën botën për një moment. Edhe pse shumë herë ishte paralajmëruar se polarizimi i skajshëm në të cilën e shtyu shoqërinë amerikane Presidenti Tramp mund të përkthehej në dhunë, thuajse të gjithë refuzonin të besonin se një akt i këtillë mund të ndodhte mbi ndërtesën më të rëndësishme legjislative në Kapitoll Hill. Tentativat e paprecedenta për demokracinë më të zhvilluar në botë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale që nxorën fitues XhoBajden,rikonfimuan qëndrueshmërinë e institucioneve demokratike amerikane dhe afirmuan ndarjen e vërtetë midis pushteteve. Qeverisja katër vjeçare e Presidentit Tramp mund të jetë e mbushur plot vendime e sjellje kontroverse, por gjithsesi që është një leksion për botën se demokracia funksionale ndërtohet vetëm me institucione të fuqishme demokratike dhe ndarje të vërtetë mes pushteteve.
Më 20 Janar, në orën 12 sipas kohës lokale betimin si President i 46i SHBA-ve do ta bëj Xho Bajden, personi më i votuar në historinë e Amerikës. Presidenti Bajden është një nga figurat qendrore të politikës amerikane në 50 vitet e fundit duke shërbyer si Senator nga mosha 30 vjeçare dhe në dy terme si zëvendës i Presidentit Obama. Një veteran me eksperiencë në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, njohës i shkëlqyer i politikës ndërkombëtare, ithtar i aleancës Euro-Atlantike dhe një mbështetës i flaktë i demokracisë në themelin e të cilës janë të drejtat e njeriut. Xho Bajden është mishërimi i vlerave demokratike amerikane, të cilin e presin sfida të jashtëzakonshme qysh në orët e para të mandatit të tij.
SFIDAT E BRENDSHME
S’do mend që sfida e parë dhe më e rëndësishmja është vendosja e pandemisë nën kontroll, sigurimi dhe administrimi i vaksinave dhe rikthimi i vendit dhe botës në normalitet. Kjo, siç mësuam të gjithë gjatë vitit që lamë pas nuk do të jetë aspak e lehtë, shto këtu që Presidenti Bajden po trashëgon një politikë kaotike të shëndetit publik dhe më e keqja të politizuar sipas preferencave partiake. Kthimi i sensit të përbashkët dhe besimit tek shkenca, ekspertët dhe autoritet shëndetësore do të jetë indikatori i hershëm i suksesit të tij në tejkalimin e kësaj sfide. Duke analizuar zgjedhjet kadrovike të task-forcës kundër Covid-19 ku kryesisht spikasin shkencëtarë, ekspertë të shëndetit publik dhe akademikë të përdëftuar dhe planet e shpalosura së fundmi nga vetë Bajden për qasjen ndaj pandemisë, duhet të presim politika të cilat janë të bazuara në shkencë dhe jo nga instinktet personale të Presidentit. Lufta për ta vënë në kontroll pandeminë është e lidhur drejtpërdrejtë edhe me ekonominë e cila ka pësuar një nga goditjet më të rënda në historinë moderne globale, efektet e të cilës nëse nuk menaxhohen në mënyrë proaktive do të krijojnë krizë edhe më të madhe se ajo e Uoll Stritit në vitin 2008 duke rritur edhe më tej pabarazinë dhe varfërinë.
Zgjedhja e Presidentit Tramp në vitin 2016 ishte një befasi për të gjithë, madje sipas shumë raportimeve edhe për vetë atë. Duke analizuar qëndrimet dhe deklaratat e tij si dhe fushatën elektorale që ishte e bazuar kryesisht mbi elemente të nxitjes së frikës, ksenofobisë dhe që shkonte në linjat e politikave të ekstremit të djathtë ishte e pritshme që polarizimi dhe ndarja mes shoqërisë amerikane do të thellohej edhe më tej me administratën e tij. Presidenti i zgjedhur Bajden po trashëgon një shoqëri jashtëzakonisht të polarizuar dhe të ndarë në baza të ndryshme, ndër të cilat më e trishta dhe më e rrezikshmja është rikthimi në skenë i supermacistëve të bardhë dhe neofashistëve. Këto grupe nuk janë të rrezikshme vetëm në prodhimin e urrejtjes, gjuhës së urrejtjes por gjithashtu janë të prirur të ushtrojnë dhunë fizike, ashtu siç e bënë më 6 janar, ditën kur po certifikohej fitorja e Presidentit Bajden. Këtu, kyçe do të jetë maturia e tij për të dërguar mesazh përtej spektrit politik të majtë dhe të djathtë dhe kundërvënia e qartë dhe e ashpër kundër grupeve ekstreme të dhunshme. Kjo doemos do të përfshijë edhe iniciativa të drejtpërdrejta për të rritur presionin mbi mediumet sociale që janë kthyer në burim për teoritë e konspiracionit dhe lajmet e rreme të cilat në shumë raste të vërtetuara krijohen, nxiten dhe shpërndahet nga agjenci inteligjente të shteteve rivale si Rusia, Kina dhe Irani.
SFIDAT NDËRKOMBËTARE
Arena ndërkombëtare është gjithashtu në një kaos të plotë dhe në krizë për lidership global, pozitë të cilën e mbanin SHBA-të para presidenit Tramp i cili me politikën izoluese ‘’Amerika e para’’ (Americafirst) minoi besueshmërinë tek aleancat tradicionale Euro-Atlantike. Duhet theksuar se edhe përskaj shkundjes që u bëri, Presidenti Tramp theu status quo-në në shumë çështje të cilat ishin të nxehta dhe për të cilat kishte një konsensus të heshtur për t’i lënë ‘’nën qilim’’ por edhe duke rikujtuar shumë nga shtetet që e merrnin për të mirëqenë aleancën me SHBA-të.
Presidenti i zgjedhur Bajden trashëgon një Rusi më të fuqishme dhe prezente thuajse në të gjitha zonat e interesit gjeopolitik dhe me një kapacitet dukshëm më të sofistikuar për sulme hibride. Zbulimi i penetrimit në agjencitë federale dhe kompanitë private nga hakerët rus vërteton gjithnjë e më shumë se beteja e re mes fuqive të mëdha do të zhvendoset në fushën e kibernetikës. Përgjigjja ndaj këtij sulmi nga administrata e re amerikane do të vendos tonin me të cilin do të zhvillohen marrëdhëniet me Rusinë, e cila me Presidentin Tramp u duk sikur po fiton terren të hapur për të shtrirë influencën në rrafsh global.
Presidenti Bajden gjithashtu trashëgon një marrëdhënie toksike me Kinën, një lojtar global i cili nuk ka më vetëm ambicie për fronin e Botës, por punon në mënyrë aktive në dekadën e fundit përmes një sërë masash të kombinuara ekonomiko-politike. Rivaliteti që do të jetë gjithnjë e në rritje është sfida e shekullit të ri për Amerikën dhe ndonëse shumë vetë e kritikojnë qasjen e Trampit, ai ishte i pari që në mënyrë frontale iu përgjigj këtij rivaliteti. Cila do të jetë qasja e Bajdenit me Kinën nuk do të përcaktoj vetëm fatin e Amerikës por edhe demokracisë liberale e cila shënon regresin më të madh që nga koha e rënies së murrit të Berlinit dhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik.
Administrate e re do të duhet të përballet me populizmin që prodhon lider autoritar të cilët kapin rrënjë gjithandej rreth globit duke shtypur të drejtat e njeriut, shoqërinë civile, lirinë e të shprehur dhe mediat, madje edhe mes aleatëve të afërt në NATO dhe Bashkimin Evropian. Rikthimi i një marrëdhënie të fortë, të bazuar mbi principet me të cilat u themeluan këto dy organizata do të determinojnë nëse SHBA-të do të rikthehen në pozicionin e tyre të liderit global.
ÇËSHTJET E PAZGJIDHURA NË BALLKAN
Eksperienca e gjatë në politikë e Xho Bajdenit i jep përparësi të jashtëzakonshme në njohjen nga afër të kontekstit Ballkanik. Ai ka qenë ndër aktorët kryesor i cili ka qëndruar hapur dhe ka ndikuar në politikën amerikane për të ndërhyrë edhe ushtarakisht kundër regjimit represiv të Millosheviçit në luftërat e Ballkanit në vitet e 90. Njohja dhe lidhja personale që Presidenti Bajden ka me Ballkanin do të rikthej rolin më aktiv dhe të drejtpërdrejtë të SHBA-ve në zgjidhjen e çështjeve të hapura të cilat vazhdojnë të krijojnë tension dhe frenojnë progresin në këtë rajon. Administrata e re do të duhet të mbindërtojë Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës duke i shtyrë vendet në një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke mes vendeve – diçka që politika e jashtme komplekse dhe burokratike e Bashkimit Evropian dështon tash e dy dekada ta arrijë. Në vazhdë të kësaj është edhe Bosnja dhe Hercegovina e cila është shndërruar në një shtet jofunksional dhe pa perspektivë për qytetarët e saj dhe Maqedonia e Veriut perspektiva e të cilës mbahet peng nga moshapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mbyllja e çështjeve të hapura në Ballkan do të mbyll edhe shtegun për influenca të dëmshme nga jashtë të cilat janë të interesuara për ta mbajtur rajonin të trazuar dhe në konflikt të përhershëm.
S’do mend që qeverisja e Presidentit Bajden do të jetë e sfiduese por në këtë situatë komplekse vështirë që do të mund të kishte një person më të kalitur për ta rikthyer Amerikën që njohim dhe që e adhurojmë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)