Një nga vokalet më premtuese në skenën shqiptare, mjafton të dëgjohen ato pak këngë që ka realizuar dhe ju të njihni një yll të ri të muzikës. Xhida Gashi është nga Prishtina, ndjek mësimet në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” ndërsa edhe studimet mendon t’i vazhdojë për muzikë. Në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA, ajo tregon shumë gjëra mbi veten se si ka nisur me covera
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Po këndon tash e një kohë, ke realizuar cover-a, por edhe disa këngë tjera, si e ndien veten në mesin e skenës shqiptare?
Kam realizuar deri tani disa këngë të dëgjuara, kam filluar me covera dhe kam marrë komplimente për punën që e kam bërë dhe kjo bën të ndihem shumë mirë dhe e vlerësuar prandaj do të vazhdoj të punoj dhe të arrijë qëllimin tim.
KOHA: Nga ajo që kemi dëgjuar je shumë premtuese, një vokal i mrekullueshëm që i duhet skenës?
Do të punoj dhe nuk do të ndalem dhe besoj që nuk do t’i zhgënjejë ata njerëz që presin këngë të reja nga unë.
KOHA: E ke pas vështirë fillimin se besoj që tashmë ke nisur të adaptohesh?
Nuk e kam pasur të vështirë sepse para se gjithave unë e dua muzikën, kam filluar me covera, sepse po i kushtoj pak më shumë rëndësi edhe shkollës mirëpo shumë shpejtë do të kyçem edhe me më shumë seriozitet në këtë punë dhe besoj se do ju ofroj muzikë të mirë dhe do jenë të kënaqur publiku me mua.
KOHA: Nga kush je inspiruar që të merresh me muzikë?
Më shumë se inspirim në dikë ose diku rëndësi ka talenti që ke nga natyra, ka shumë këngëtarë që dëgjoj dhe më pëlqejnë por unë rrjedh nga një familje që janë marrë me muzikë dhe kjo më ka ndihmuar shumë, por mundohem të jem origjinale në secilën këngë dhe jap shumë nga vetja.
KOHA: Cilët janë ato këngëtarë që ke marr shembull për të hyrë në botën e muzikës?
Shembull marr nga shumë këngëtarë që muzikën e bëjnë me seriozitet dhe që janë lindur për këtë punë e jo që e shfrytëzojnë për qëllime tjera.
KOHA: Mendon se do përballosh konkurrencën?
Mendoj që asnjëri këngëtar nuk mund të zë vendin e tjetrit, skena është e madhe dhe ka vend për punë e më pas vendos publiku për punën e mirë.
KOHA: Cilat janë projektet që je duke realizuar tash?
Projekte do të ketë, por e pres kohën e duhur të sjellë këngë sa më të mira.
KOHA: Nga dita që ke nisur të këndosh e deri më sot sa dhe si ka ndryshuar jeta jote?
Jam shumë e re dhe ende nuk kam hyrë në këtë profesion fuqishëm për këtë punoj shumë që kur të hyjë të sjellë më të mirën nga vetja, mirëpo me këto këngë që i kam punuar deri tash kam shumë fjalë të mira nga njerëzit profesionist dhe kjo më bën të ndihem mirë dhe e vlerësuar, të tjerëve ju jam shumë falënderuese.
KOHA: Kënga e fundit që ke realizuar është përpunimi i hitit ‘Larg teje o nënë’, a do vazhdosh të qëndrosh në këtë ritëm me balada dhe këngë të bukura apo do kthesh në komercializëm?
Kjo këngë është përpunuar për nderë të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, por nuk do të thotë që jam e kufizuar në muzikë, në art nuk ka kufizime sepse një këngëtarë i mirë mund të këndojë zhanre të ndryshme, mjafton të sjellë këngën në mënyrën e duhur.
KOHA: Kush është Xhida, disa fjalë për ata që ndoshta nuk kanë pasur rastin të të njohin por vetëm të kanë dëgjuar?
Jam Xhida Gashi, nxënëse në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë në vitin e fundit, pas përfundimit të të mesmes mendoj që edhe studimet t’i vazhdoj në muzikë, jam e përkushtuar në këtë punë dhe besoj që do të arrijë qëllimin tim.