Qasja artistike e Xhezairit është e fortë, me temë bashkëkohore të artit për të bukurën dhe të shëmtuarën, me shprehje dhe estetikë origjinale. Këtë e dëshmon me veprën që është e vendosur në bregun e majtë të lumit Vardar në Gostivar dhe e ka vënë një vulë personale në rrugëtimin e tij estetik artistik në një medium të artit pamor jo aq të lehtë, siç është ai skulptural
Nga Reshat AMETI
Realizimi i fundit skuptural i skulptorit Xhezair Rexhepi, i vendosur buzë lumit Vardar në Gostivar, me lartësi 5 metra, karakterizohet me kreativitet estetik, me plasticitet modern skulptural dhe me dinamikë e cila veprës i jep një “sharm” të veçantë. Koncepti i realizimit artistik i Xhezairit, i takon stilit abstrakt gjeometrik, me estetikë dhe mesazh bashkëkohor, si dhe me realizim të suksesshëm të transformimit të idesë artistike në material! Tema dhe trajtimi i veprës u takojnë teorive dhe praktikave aktuale të trajtimit estetik dhe filozofik të skulpturës. Realizimi komplet i veprës është në mënyrë bashkëkohore, me vizion të qartë individual të artit, me shprehje dhe estetikë origjinale, simbolikë dhe mesazhe mbi realitetin tonë vizual dhe pikërisht kjo qasje ndaj vokacionit të tij, veprës i jep vulë personale.
Skulptura e realizuar i takon filozofisë së sotme estetike mbi artin dhe i përgjigjet kohës dhe hapësirës së kulturës urbane bashkëkohore!
Titulli inspirativ “Metafora e lirisë“ i skulpturës të Xhezairit, fillimisht karakterizohet me realizimin e formave të performuara, me boshllëqe të lidhura njëra me tjetrën, të cilat në masën e skulpturës krijojnë efekte të jashtme të dritës, duke i dhënë funksion të rëndësishëm sensacionit vizual të skulpturës dhe në atë mënyrë jep kontribut në përforcimin e idesë dhe mesazhit artistik.
Vepra ka kahje në vertikale, ku forma bazë, shtylla e kompozicionit, është duke u ngritur lart dhe gradualisht rritet me forma tjera gjeometrike, të cilat e ndjekin formën në bazën vertikale. Dinamika dhe ritmi i formave arrihet me lidhjen e formave me një formë simbolike – abstrakte asociative. Pra, edhe pse realizimi i skulpturës është abstrakt, formë të cilën fillimisht nuk mund ta lidhim me ndonjë vizualitet dhe pamje reale, ajo gradualisht transferohet në vizualtitet të njohur asociativ, na rikujton në pamje dhe vizualitet të gropuar në memorien tonë dhe sikur rishfaqet dhe del përsëri në jetë, në ambient real. Por, gjithsesi na ngjason edhe në vizualitet të kohës, preokupimeve bashkëkohore dhe fitojmë përshtypjen se kjo vepër ngjason si një “buqetë“ – formë gjeometrike që i jep skulpturës një dinamikë të kontrolluar, por gjithmonë me tendencë në rritje, në lëvizje të reja të cilat janë të lidhura njëra me tjetrën, duke i dhënë veprës një bukuri të thellë estetike, ndërsa shikuesve të veprës u mbetet vetëm ta konsumojnë “nektarin“ estetik.
Material i përdorur është metali i patenuar me ngjyrë të kuqe! Ngjyrë e revolucioneve, të energjisë dhe e përforcojnë idenë estetike, pra korrespondon me titullin “Metaformoza e lirisë”. Qasja artistike e Xhezairit është e fortë, me temë bashkëkohore të artit për të bukurën dhe të shëmtuarën, me shprehje dhe estetikë origjinale. Këtë e dëshmon me veprën që është e vendosur në bregun e majtë të lumit Vardar në Gostivar dhe e ka vënë një vulë personale në rrugëtimin e tij estetik artistik në një medium të artit pamor jo aq të lehtë, siç është ai skulptural. (koha.mk)