Duket se për këngëtaren gjithçka ka shkuar mirë. Ajo ka rënë 16 kilogramë, siç dhe pohon – nuk lë pa përmendur se është më në formë se kurrë. Polo zbulon gjithashtu se do të jetë pjesë e këtij edicioni të “Kënga Magjike”, me një këngë bashkëpunim me Klint Çollakun
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Ajo njihet si një nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare. Prej vitesh në skenë, e sprovuar për të kënduar me orë të tëra live, Xhesika Polo ka krijuar atë portretin e saj të artistes, që premton të japë shumë nesër. Në një rrëfim për gazetën KOHA, këngëtarja ndanë ndryshimin e rutinës për shkak të pandemisë Covid 19, kujdesin për të atin dhe dëshirën për t’ju rikthyer sa më parë normalitetit dhe rrjedhës së dikurshme të jetës. Duket se për këngëtaren gjithçka ka shkuar mirë. Ajo ka rënë 16 kilogramë, siç dhe pohon – nuk lë pa përmendur se është më në formë se kurrë. Polo zbulon gjithashtu se do të jetë pjesë e këtij edicioni të “Kënga Magjike”, me një këngë bashkëpunim me Klint Çollakun. Ne i urojmë fat Xhesikës dhe shpresojmë që të vlerësohet ashtu siç e meriton.
KOHA: Xhesika, pyetja e parë është e drejtpërdrejtë me situatën e krijuara. Si i ke punët me Covidin?
Të them të drejtën merakun më të madh kam tim atë dhe mos të sëmurë njerëzit, që preken me seriozisht nga Covidi prandaj ruhem si maniake. Ndonjëherë njerëzit ma marrin dhe për keq, po nuk më intereson shumë.
KOHA: Ju jeni ndoshta nga më të dëmtuarit e kësaj situate që ende vazhdon. Nuk po të pyes si ndihesh, sepse do të ishte e pavend, por me çfarë je marrë gjatë gjithë kësaj kohe?
Jam marr me veten shumë. Me shëndetin tim. Kam hequr rreth 16 kilogramë dhe ndihem mrekullisht mirë. Përveç punës së palodhur në studio me vëllain tim, Marko Polo, duke krijuar muzikë gjithashtu kam eksperimentuar në një fushë të re, që është ajo e estetikës. Kam provuar të isha estetiste qerpikësh dhe thonjsh në biznesin e mikeshës sime të ngushtë Eni Nails. Eksperiencë që më ka vlejtur shumë, pasi më mësoi disiplinën e një pune stabël.
KOHA: Çfarë të mungon më shumë nga jeta para pandemisë?
Ma besoni që e vetmja gjë që dua më shumë është kthimi i qetësisë mendore. Zgjohem çdo ditë dhe fle çdo natë me frikë. Sigurisht nuk mund të harroj dhe publikun, që më ka shoqëruar në live-t dhe koncertet e mia gjë që më ka dhënë shumë lumturi dhe energji.
KOHA: Cila është gjëja e parë që do bësh sapo kjo situatë të marrë fund?
Do heq maskën! (qesh).
KOHA: Kënga e re për “Kënga Magjike” është një bashkëpunim me Klint Çollakun, si u gjetët ju të dy në këtë duet?
Ne jemi miq të ngushtë prej disa vitesh dhe ishte pikërisht “Kënga Magjike” 2017, ajo e cila na bashkoi. Ky bashkëpunim kishte disa kohë që ishte në planet tona dhe thamë pse jo. Zërat na shkojnë dhe kemi kimi. Plus Marko ka bërë një produksion të mrekullueshëm.
KOHA: Çfarë pritshmërish ke nga ky edicion i Kënga Magjike?
Jam një artiste që gjithmonë jam vlerësuar në “Kënga Magjike”. Pres të marrim atë, që meritojmë, të vlerësohemi pa hile dhe pa kompromise. Thjesht ne dhe muzika jonë.
KOHA: Kemi një merak, një mesazh në fund?
Duajeni veten! Mos ndryshoni për asgjë në botë dhe kaloni sa më shumë kohë pranë prindërve. Ata janë njerëzit më të shtrenjtë, të cilët na duan pa kushte.