Ka nisur modën që në moshë të re dhe vazhdon të shkëlqejë gjithandej. Xhensila Seferi ka përfunduar studimet në Shkencat Politike, kurse modën e ka si hobi duke sjellë herë pas herë edhe foto të nxehta e duke treguar fizikun e saj në formë. Në një bisedë ndryshe për InfraRed të gazetës KOHA, ajo tregon shumë gjëra mbi veten
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Nga 1-10 tek cila shkallë qëndron miqësia, bashkëpunimi yt me kolege modele?
Mundohem të mbajë raporte të mira me secilin person, pak rëndësi ka nëse është kolegë/e, unë jam natyrë shumë sociale.
KOHA: Si e vlerësoni karrierën tuaj?
Modelingu nuk është fushë që bie rëndom “pre” e objektivit të sulmeve kundrejt sukseseve. Personalisht, jam e kënaqur me arritjet e mia profesionale.
KOHA: Ka ndodhur që ndonjë modele (miss) t’ju shikojë shtrembër për sukseset që bëni?
Ka gjithmonë njerëz skeptikë përballe arritjeve të dikujt, por unë nuk ju kushtoj rëndësi.
KOHA: Je një ndër femrat më të dashur të skenës shqiptare. Ç’po bën aktualisht me modën?
Moda është pjesë e pandashme nga unë… nuk jam e përfshirë në mënyrë konstante publikisht, por herë pas here publikut nuk i kanë munguar foto artistike nga unë.
KOHA: Çfarë mesazhi do t’u jepje armiqve të tu (nëse mendon se ke)?
Mendoj që mesazhi më i mirë që ju kam dhënë dhe që do vazhdoj të jap, është nëpërmjet veprave… Fjalët kanë nevojë për vepra..veprat nuk kanë nevojë për fjalë!
KOHA: Në situata të ndryshme je më shumë optimiste apo të kap ndjenja e pesimizmit?
Ka situata që është e paevitueshme të kesh momente pesimizmi, e theksoj: momente..sepse në përgjithësi jam optimiste.
KOHA: Çfarë do ndryshoje në jetën tënde po qe se koha do të kthehej mbrapsht?
Të gjithë do të donin të ndryshonin shumë gjëra në jetën e tyre, por duke qenë se kjo është e pamundur, e investoj energjinë time në përmirësimin e të ardhmes.
KOHA: Të pëlqen politika, do kishe dashur të inkuadrohesh në të?
Më pëlqen politika e për këtë arsye kam mbaruar edhe studimet për Shkenca Politike. Nuk e përjashtoj mundësinë e angazhimit nëse do të kisha ofertë të përshtatshme me formatin tim.
KOHA: Gjëja më e këndshme që ke dëgjuar nga publiku për ty?
E konsideroj veten me fat, sepse publiku është treguar gjithmonë i dashur me mua dhe kam dëgjuar vetëm komente pozitive. Më pëlqen dhe vlen të evidentohet fakti që nuk kam marrë vlerësime vetëm për pamjen fizike, por edhe për Xhensilën në total, si njeri, karakter.
KOHA: Më e bukura dhe më e vështira që mban mend gjatë punës në modë?
Ka qenë e vështirë futja në boten e modës, por akoma më i vështire qëndrimi. Moda në vetvete është bukuri dhe si e tillë, çdo gjë që ka lidhje me të e konsideroj të bukur.
KOHA: Si e menaxhon dhe sa e ndjen sot peshën e të qenit person publik?
Karriera ime nuk është prekur nga skandalet apo thashethemet që të ndikojnë negativisht dhe të vendosin në kushte të pakëndshme, prandaj ka qenë lehtësisht e menaxhueshme. Imazhi publik më ka ofruar ambient favorizues dhe komod edhe në përditshmëri.
KOHA: Me telekomandën në dorë, duke bërë lundrim nëpër stacione… cilat programe të ekraneve shqiptare ta “rrëmbejnë’ vëmendjen?
Nuk kaloj shumë kohë përballë tv, por mundohem të jem sa më e informuar për secilën gjë. Kjo do të thotë që shoh emisione të profileve të ndryshme. Shoh lajmet, emisione politike, kompeticione, kuriozitete.
KOHA: Cilat prej programeve të dikurshme të ngjallin nostalgji?
Nuk më kujtohet ndonjë emër, por programet që ishin gjatë verës më kanë pëlqyer dhe i ndiqja gjatë kohës së lirë.
KOHA: Çfarë do të dojë të shihnin, për shembull, fëmijët e tu tani dhe në të ardhmen?
Do më pëlqente që të mos jenë të varur nga masmedia. Fëmijët kanë nevojë të jenë sa më pranë natyrës dhe të zhvillohen në kushte optimale. Për fat të keq, teknologjia ka pushtuar fëmijërinë e brezit aktual duke i privuar nga kënaqësitë përtej ekranit.
KOHA: Në fund, mesazhi yt për ata para dhe pas ekranit…
Mendoj që njerëzit janë të lodhur nga këshillat, nga morali.. mjafton të bëjnë atë që ndjejnë dhe të besojnë tek vetja. Duhet të jenë të vërtetë dhe të mbështesin njëri-tjetrin.