“Xhemijeti e ka lutur Nikolla Pashiqin që mos t’ua prekë pasurit dhe tokat e tyre, që kishin në Shkup, Manastir dhe Kosovë, por ai pasi i shfrytëzoi ua prishi partinë, kjo parti turkofile nuk ka pasur asnjë rezultat konkret për çështjen shqiptare. Ferat Draga, gjatë luftës Parë Botërore ka bërë luftë kundër Hasan Prishtinës, që të rekrutojë sa më shumë shqiptarë për ti dërguar në Stamboll, ndërsa nga Stambolli Turqia i dërgonte në luftë kundër Rusisë”, thotë historiani Vebi Xhemaili
Destan JONUZI
Shkup, 15 shkurt – Në 100 vjetorin e Lëvizjes turko-myslimane “Xhemijeti”, turkofil të caktuar tentojnë që ti japin karakter kombëtar, edhe pse kjo lëvizje politike takimet e tyre i mbante në gjuhën turke, ndërsa asnjëherë anëtarët e saj nuk flisnin në gjuhën shqipe dhe kishin gazetën e tyre po në gjuhën turke me emrin “Hak”, thotë historiani – prof.dr. Vebi Xhemaili. Ai duke zhveshur tendencën që kësaj Lëvizje ti jepet primati i shqiptarizmës, thotë se “Xhemijeti” e ka lutur Nikolla Pashiqin që mos t’ua prekë pasuritë dhe tokat e tyre, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë rezultat konkret për çështjen shqiptare, por se atë e ka luftuar ashpër edhe Hasan Prishtina.
“Xhemijeti e ka lutur Nikolla Pashiqin që mos t’ua prekë pasurit dhe tokat e tyre, që kishin në Shkup, Manastir dhe Kosovë, por ai pasi i shfrytëzoi ua prishi partinë, kjo parti turkofile nuk ka pasur asnjë rezultat konkret për çështjen shqiptare. Ferat Draga, gjatë luftës Parë Botërore ka bërë luftë kundër Hasan Prishtinës, që të rekrutojë sa më shumë shqiptarë për ti dërguar në Stamboll, ndërsa nga Stambolli Turqia i dërgonte në luftë kundër Rusisë. Numri këtyre regrutëve shqiptarë ka qenë mbi 12 mijë djem të ri, ma së shumti ka pasur nga Shkupi, Tetova, Gostivar dhe disa qytete të Kosovës. Hasan Prishtina i ka luftuar këta turkofilë që i kanë bërë dëm kombit, në veçanti i ka luftuar Vëllezërit Draga, të cilët gjatë Luftës së Parë Botërore, i kanë bërë dëme të mëdha kombit shqiptarë në trevat lindore”, sqaron prof.dr. Vebi Xhemaili.
Në anën tjetër, historiani Jusuf Buxhovi thekson se shoqëritë sekulare me arsim laicist, nuk duhet t’i kthehen aspektit fetar. Pasi, sipas tij, ky është kthim prapa. “Te ne kjo prodhon efekte të dëmshme shoqëror dhe politike, veçmas kur identiteti kombëtar ngatërrohet me atë fetar, siç po ndodh në Maqedoni kur etnia kombëtare po rrëshqet kah etnia fetare, siç kërkonte Çudrilloviqi! Edhe për këtë çështje përgjigjen e gjeni te Maqedonia, që më pak fjalë mund të rrudhet: Xhemijeti u krijua për arsye që identiteti etnik dhe kombëtar i shqiptarëve të transformohet në fetar dhe turk! Pra, kjo kërkohej. Por, dihet, nuk ndoqi këtë rrugë, ngaqë intelektualë dhe patriotë shqiptarë brenda për brenda këtij konstrukti, kundërshtuan shpërnguljen, gjë që solli edhe represionin kundër tyre”, thotë historiani i njohur Buxhovi.
Se “Xhemijeti” nuk ka kontribut të caktuar shqiptar, thotë edhe studiuesi Muzafer Bislimi. “Xhemijeti nuk ka kontribuar asgjë për çështjen kombëtare. Edhe pse nuk jam marrë shumë me këtë organizatë, por e dimë që kanë botuar revistën e tyre ‘Hak’ fillimisht në gjuhën arabe (osmane-turke), e pastaj edhe në gjuhën serbe. E keqja është se nuk mund ta fusim me një kosh, apo ta barazojmë Komitetin e Kosovës me udhëheqës Hasan Prushtinën, Bajram Curin, Elez Isufin, Bislim Bajgorën, Kadri Hoxhë Prishtinën… me Xhemijetin. Ata që e mendojnë të kundërtën, le t’i numërojnë sukseset e Xhemijetit në drejtim të çështjes Kombëtare. Çka përfituam ne si komb shqiptar nga aktiviteti i tyre? Sa shkolla shqipe hapen? Pse nuk e penguan marrëveshjen serbo-turke të viteve 30 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi?”, pyet Bislimi, ndërsa shprehet se asnjë rezultat konkret për çështjen shqiptare nuk e ka dhënë Xhemijeti.
“Asnjë rezultat. Gjithashtu le të përgjigjen si i kanë mbajt mbledhjet e tyre, në çfarë gjuhe, si kanë folur me Mehmed Spahon? Nuk jam kundër të studiohet Xhemijeti, sepse edhe aty ka pas shqiptarë, por nuk mund ta fusësh Xhemijetin në një thes me Komitetin e Kosovës dhe aktivitetet e veprimtarëve tjerë që ka vepruar në këtë periudhë, apo edhe më vonë”, thotë historiani Muzafer Bislimi. Ndryshe, reagimet e historianëve dhe intelektualëve shqiptarë për aktivitetet e dyshimta të Xhemijetit vijnë pasi zyrtarë të partisë Alternativa tentojnë ta barazojnë aktivitetin e tyre, siç thonë ata, “kombëtarë” me aktivitetet e Hasan Prishtinë, Azem Moranës, madje edhe i barazojnë me aktivitetin e Komandantit Legjendar – Adem Jashari. (koha.mk)