Nuk jam natyrë që më pëlqejnë ndryshimet, i kam shumë problem. Unë jam shumë tradicionale në gjërat e mia, bëj po të njëjtat gjëra, aq sa mund t’i mërzis të tjerët ndonjëherë. Kështu jam edhe në jetë, edhe në gjërat e përditshme. Dua të njëjtën kafe, dua të njëjtët njerëz vërdallë, nuk para i përqafoj ndryshimet
Edhe pse në fillim është shfaqur si velinë ,ia ka dalë mbanë me çdo lloj spektakli, skena të vogla e të mëdha për të dhënë dhe më të mirën e saj si pjesë e trupës së “Portokalli” duke qenë shumë e natyrshme dhe duke interpretuar në role të mirëfillta, pa mbetur ajo vajza e bukur që thotë “le ta përcjellim me duartrokitje filanin dhe të presim fistekun”. Xhemi ka bërë shumë më shumë, duke ruajtur ndërkohë dhe etiketën yll që e ka shoqëruar që në fillim.
“Më vjen mirë për këtë, nuk e di, nuk është se e bëj me recetë këtë gjë. Ndoshta është për hir të tipit që nuk para kam sulmuar të ngjashmit e mi në ekran, sepse unë mendoj gjithmonë që ka vend për të gjithë në ekran. Ndoshta është sepse asnjëherë nuk kam dashur të jem në qendër të vëmendjes, mbase edhe sepse i kam hapur krahët çdokujt që ka ardhur për të punuar me mua. Nuk kam qenë luftarake që t’i fus bërrylat dikujt. Faktikisht kam parë punën time, kjo mbase më ka ndihmuar”, shprehet ajo.
NGA SPEKTAKLET TELEVIZIVE TEK FAMA E DËSHIRUAR
U shfaq fillimisht aty vetëm në një sezon, bashkë me Agron Llakajn dhe Amarda Toskën në 2006-ën, për t’u rikthyer në mars të 2015-ës, dy muaj pasi kishte lindur Gabrielin, djalin e dytë. E ndanin prapë skenën tre, bashkë me Salsano Rrapin dhe Eneda Tarifën, por kështu nga jashtë – duket që ajo dhe Salsano jo vetëm kanë kimi skenike, por duket të jenë edhe shokë të ngushtë. “Po, është e vërtetë, kam pasur kimi me Salsanon, veçse s’mund të them që javët e para. Por u lidha më shumë pasi iku dhe Eneda për në ‘Eurovizion’. Atëherë patëm më shumë mundësi që të punonim me njëri-tjetrin dhe u bëmë shokë të ngushtë. Me Enedën kam tentuar që të jem shoqe, por nuk ishte e thënë. Kështu që e kam thjesht kolege. Dhe tani nuk e kam asgjë, sepse nuk besoj që do punoj ndonjëherë më me të”. Ama ka edhe të tjera miqësi brenda asaj trupe.
“Shkoj shumë mirë me Salsanon, me Gazin, me Ledion. Tani unë mirë shkoj me të gjithë, që të kuptohemi, por me këta pak më shumë. Pastaj dhe me Albana Perhatin, Algionën edhe me Flor Binajn, me të cilin kam pasur më tepër marrëdhënie kur kam qenë në sezonin e parë fare. E njoh më përpara se Gazin, se Salsanon, por tani nuk është se bëhemi shumë”. Gjithsesi me Florin ajo pati dhe rolet në rubrikën “Atentatet”, ku spikati për natyrshmërinë në interpertim, më natyrshëm se shumë nga ata që mbarojnë shkollë aktrimi, për të parën herë me një përshtatje të ‘Koncert në vitin ‘36”. Ajo vetë, nga një dyzinë “filmash” të tillë pëlqen “Shamikuqen” dhe “Ronin” (sipas një film japonez). Ndërsa gjithë të tjerët të preferuar kanë “Shamikuqen”, shprehet kështu Xhemi.
MË TEPËR KOHË FAMILJES
Ajo vetë i ka shijuar të gjitha. Tashmë që është jashtë mund të thotë me gojën plot që “Portokalli” është ajo që ka dashur më shumë, që në sezonin e parë fare kur ishte në skenë me Gonin dhe Amin. “Kam bërë edhe programe të tjera, që nuk është se më kanë ngjallur ndonjëfarë interesi ose më kanë dhënë ndonjë kënaqësi”, thekson ajo. Siç nuk ka ndryshuar kurrë ekranin, Xhemi nuk ndryshon as miqtë.
“Nuk jam natyrë që më pëlqejnë ndryshimet, i kam shumë problem. Unë jam shumë tradicionale në gjërat e mia, bëj po të njëjtat gjëra, aq sa mund t’i mërzis të tjerët ndonjëherë. Kështu jam edhe në jetë, edhe në gjërat e përditshme. Dua të njëjtën kafe, dua të njëjtët njerëz vërdallë, nuk para i përqafoj ndryshimet”. Pjesa tjetër e kohës së Xhemit, tani që është jashtë ekranit, është si ajo e të gjithëve. Domethënë shumë kohë në shtëpi. Do të kishte dashur ta shfrytëzonte këtë kohë për t’u marrë me bizneset e saj që ajo ka drejtuar: palestra, qendra estetike dhe parukeria tek Kodra e Diellit, por kjo mesa duket nuk është koha më e mirë për punë.
“Nuk është periudha më e mirë për bizneset, prandaj jam munduar ta marr me qetësi. Po i kushtoj më tepër kohë dhe vëmendje familjes dhe jam me shpresë e sipër që gjërat do rregullohen vitin që vjen ku mund të impenjohem 100% me të gjitha këto, gjithmonë nëse do jemi mirë”, shton mes tjerave Xhemi Shehu. (koha.mk)