Shpërthimi i menjëhershëm i Kristof Piontekut ka nervozuar shumë Patrik Kutronen. Sulmuesi që deri në fazën e parë luante me vazhdimësi, papritur është shndërruar në një “të humbur”, duke qenë se pas mbërritjes së polakut dhe të Paketës në janar, minutat për të kanë qenë me pikatore.
Diçka e tillë nuk i ka pëlqyer aspak italianit 21-vjeçar, i cili duhet të jetë me siguri një ndër ata futbollistë që siç pranoi edhe vetë Xhenaro Gatuzo “kanë të drejtë të mërziten që po luajnë pak”. Por ndoshta kjo mërzitje e momentit nga ana e Patrik Kutrones nuk duhet marrë shumë lehtë nga Milani, duke parë përgjigjen e dhënë nga menaxheri i sulmuesit, Donato Ornjoni, për “Corriere della Sera”:
“Kutrone ka nevojë të luajë dhe duhet të luajë. Por nëse këtë nuk ia ofron dot Milani, ne do të mendohemi. A do të vazhdojë të qëndrojë në Milano? Sapo e thashë, të shohim sesi do të vazhdojë sezoni për Patrikun…”.
E thënë më qartë, Kutrone kërkon garanci për të pasur vazhdimësi në fushë, ose nuk ka ndërmend që të bëjë “hijen” e Piontekut nga stoli i rezervave edhe për shumë kohë.