Xhelku, lideri historik i komunitetit shqiptarë të Rumanisë

Profesor Maksuti botoi mijëra ekzemplarë të vjetarit Albanezul, me vlera të larta albanologjike, historike dhe letrare, si dhe këto vepra: Historia e Komunitetit Shqiptar të Rumanisë (Kriterion, Bukuresht, 1992), Mbi shqiptarët dhe Shqipërinë (Ararat, Bukuresht, 1995), Nën shenjën e shqiponjës (Ararat, 2001), Historia e Shqiptarëve të Rumanisë (Kriterion, 2003).

Nga Baki YMERI

Njerëzit vdesin që të jetojë njerëzimi. Vdekja është diviniteti i vetëm që nuk ka nevojë për dhurata. Njeriu të cilin e nderojmë me këtë nekrolog, i ka dhuruar botës shqiptare dhurata të panumërta historike, publicistike dhe patriotike. Këto ditë të ftohta dimri, pas një sëmurjeje të rëndë, në moshën 87 vjeçare u nda nga jeta lideri shpirtëror i komunitetit shqiptar të Rumanisë, kryeveterani i komunitetit, Dr. Xhelku Maksuti. Lajmin e largimit të tij nga kjo jetë, na erdhi si një vetëtimë e papritur nga e bija e tij, Zsh. Kristia Maksuti. Adio baba, thotë ajo në Facebok, duke botuar portretin e tij para lotëve të qiriut. Në shenjë respekti dhe adhurimi, pasojnë qindra ngushëllime të sinqerta nga miq e dashamirë të shumtë, nga pala rumune dhe ajo shqiptare.

Kërçovari i Bukureshtit, dr.Xhelku Maksuti, u lind në Plojesht, më 8 Mars 1931, nga një baba shqiptar dhe një nënë rumune. Shkollimin fillestar, sekondar dhe special në fushë të teknologjisë së naftës dhe gazrave i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin e Historisë në Universitetin e Bukureshtit (1956). Në vitin 1948, mban kumtesën e parë mbi Ditën e Flamurit shqiptar në Bukuresht. Në vitin 1980, mbron në Bukuresht tezën e doktoratës me titull “Lëvizja e rezistencës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”, rast me të cilin iu dha titulli “Doktor në Shkencat e Historisë”. Vlen të përkujtohen dhjetëra manifestime masive që organizoi në Bukuresht, Konstancë e qendra tjera, në funksion të afirmimit të diasporës dhe lidhjeve shqiptare me botën rumune.

I konsideruar nga ata që e kanë njohur si një ikonë e kulturës shqiptare në mërgim, profesor Maksuti (Dalaj Lama i shqiptarëve të Rumanisë), gjatë jetës së tij ka ndjekur shembujt e shenjtë të rilindësve tanë, duke e afruar, bashkuar dhe afirmuar komunitetin shqiptar, duke e përforcuar miqësinë konkrete ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë, duke botuar në Rumani, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, qindra studime dhe artikuj shkencorë mbi lidhjet rumuno-shqiptare. Për veprimtarinë e tij shkencore, Tirana zyrtare e ka nderuar para 20 vitesh me Urdhrin “Naim Frashëri”. Falë intervenimeve tona dhe të Pleurat Sejdiut, ish-presidentja e Kosovës, Zonja Atifete Jahjaga, gjatë mandatit të saj e nderoi me Dekoratë Presidenciale.

Përveç Viktor Eftimiut dhe ambasadorëve të Shqipërisë, gjatë jetës së tij ka njohur veteranë të komunitetit shqiptar të Rumanisë, si Nik Pema, Dhimitër Kristo Rëmbeci, Rexhep Asllani, Nikollaq Zoi, Dhimitër Polena, Nikolla Xhamo, të mbesat e Asdrenit (Olimpia dhe Elena Dragoni), shqiptarë të famshëm, si Ismail Kadareja, Eqrem Çabej, Thoma Kacori, Ali Hadri, Rexhep Ismajli, Ymer Jaka, Antonio Bellusçi, Ismet Dërmaku, Fadil Sulejmani, Shefqet Sejdiu, Papa Gjon Pali i Dytë, presidentë shtetesh si, Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Aleksandër Mojsiu, Ion Iliescu, intelektualë tjerë, si Aleksandër Stipçeviq, Sali Bashota, Niku Konstantini, Basri Çapriqi, Fehmi Kelmendi, Adriana dhe Sherban Tabaku, Pleurat Sejdiu, Jeton Kelmendi, Kurtesh Devaja, Alush Kamberi, Hajro Hajra, Muharrem Idrizi, Florin Ramadani etj.

Dr. Maksuti shquhet si autor kontributesh shkencore të historisë moderne rumune dhe universale. Disa nga studimet e tij e kanë parë dritën e botimit në revistat prestigjioze Magazin Istoric, Studime historike, Gjurmime albanologjike dhe Historia. Është koautor i vëllimeve Rezistenca evropiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, vëll. I (1973), Afirmimi i shteteve te pavarura e të bashkuara kombëtare në Evropën Qendrore dhe Juglindore, 1821-1923 (1979). Në Maj të vitit 1990, themeloi me një grup veteranësh shoqatën Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë (BKSHR), me një numër të panumërt aktivitetesh dhe botimesh. Në gusht të vitit 1993, themelon dhe boton serinë e re të revistës “Albanezul” (Shqiptari), duke dhënë kontribute konkrete për botimin e qindra numrave të kësaj tribune të famshme, si dhe të dhjetëra veprave shkencore dhe letrare autorësh shqiptarë dhe rumunë, në kuadrin e BKSHR-së.

Vlen të ripërkujtojmë faktin se në vitin 1995, profesor Xhelku Maksuti organizoi simpoziumin mbi 400 vjetorin e ardhjes masive të 15 mijë shqiptarëve në veri të Danubit (1595). Në vitin 1999 dha kontribut të denjë për organizimin e një manifestimi dinjitoz në shenjë solidariteti me Kosovën, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (31 Mars). Fati i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë filloi të “shuhet” që nga viti 2001, sepse një vit më parë doli në skenë një organizatë fantasmagorike (Shoqata Liga e Shqiptarëve të Rumanisë), pa asnjë shqiptar në gjirin e saj, e udhëhequr nga një deputete antikosovare (Oana Manolescu), e cila manipuloi mbi dhjetë vjet me buxhetin qeveritar në emër të interesave meskine dhe merkanteliste (1996-2016).

Në ndërkohë, profesor Maksuti botoi mijëra ekzemplarë të vjetarit “Albanezul”, me vlera të larta albanologjike, historike dhe letrare, si dhe këto vepra: Historia e Komunitetit Shqiptarë të Rumanisë (Kriterion, Bukuresht, 1992), Mbi shqiptarët dhe Shqipërinë (Ararat, Bukuresht, 1995), Nën shenjën e shqiponjës (Ararat, 2001), Historia e Shqiptarëve të Rumanisë (Kriterion, 2003). Një nga meritat e tij të veçanta është fakti se e lansoi idenë për botimin e serisë së re të revistës “Kosova” në Bukuresht, e themeluar në vitin 1932 nga gazetari korçar Gjergj Bubani. Revista respektive botohet rregullisht që nga viti 2010. Nga projektet e parapara për botim, Zt. Maksuti kishte një vepër për Skënderbeun në gjuhën rumune, një libër për Kosovën, një tjetër për Ibrahim Temon, etj. Jeta e të vdekurve gjendet në kujtimet e të gjallëve. Qoftë i paharruar kujtimi i tij! (koha.mk)