Shkup, 15 korrik – Komisioni për ndjekjen e parregullsive eventuale lidhur me kryerjen e veprave penale kundër zgjedhjeve dhe votimit konstatoi se zgjedhjet parlamentare 2020 u zhvilluan në atmosferë të qetë, pa numër të konsiderueshëm të parregullsive, kumtoi sonte prokurori publik Xhelal Bajrami, kryetar i Komisionit.
Në adresën elektronike [email protected] në të cilën qytetarët mund të paraqisnin dyshime për ndonjë vepër të kryer penale lidhur me zgjedhjet dhe votimin, siç informoi ai, kanë arritur gjithsej 24 raportime për ngjarje që kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor, përfshirë edhe sot gjatë votimit. Nga gjithsej 24 raportime, kumtoi Bajrami, tre kanë të bëjnë me ngjarje në vendvotime të ndryshme dhe qytete ku personat të cilët e kanë realizuar të drejtën e votës i kanë fotografuar fletëvotimet.
“Këto raportime janë pranuar në prokurori, por të njëjtat janë shkelje në pajtim me nenin 190 paragrafi 2 i Kodit zgjedhor dhe për procedurë ndaj tyre kompetente janë organe të tjera”, informoi Bajrami.
Raportimet, siç theksoi ai, kanë ardhur edhe në adresën elektronike në të cilën PPRMV qytetarëve u mundësoi paraqitje të drejtpërdrejtë të dyshimeve lidhur me zgjedhjet dhe votimin. Prej tyre, siç informoi, shtatë janë shtruar nga personi i njëjtë gjegjësisht nga një asociacion qytetarësh i cili raporton për publikime nëpër rrjetet sociale me të cilat gjoja është shkelur heshtja zgjedhore dhe agjitohet për votim për parti të caktuara politike. Një pjesë janë nga dy persona të tjerë dhe të njëjtat kanë të bëjnë me publikimin në portale dhe rrjete sociale. Vijon procedimi i prokurorive publike kompetente.
Ai shtoi se për këto ngjarje si edhe për të gjitha informacionet e tjera dhe raportimet të cilat eventualisht do të arrinin në prokurori, prokurorët publikë kompetentë, si edhe Komisioni për ndjekjen e parregullsive eventuale zgjedhore urgjentisht dhe me prioritet në punë do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e rasteve.