Edin Xheko, pas ndonjë hezitimi në fillim, ka pranuar transferimin te Çellsit ku do të paguhet 8 milionë euro në sezon. Tashmë mungon vetëm zyrtarizimi, që pritet të ndodhë mes të mërkurës dhe të enjtes, por Edin është gati të kthehet në Premier Ligë ku pas eksperiencës me Mançester Sitin do të veshë fanellën e Çellsit. Agjenti i boshnjakut ka fluturuar drejt Londrës për të përcaktuar detajet e fundit përpara “tymit të bardhë” që gjithsesi, duke pasur parasysh impenjimin e mbrëmjes së djeshme të Romas kundër Sampdorias, nuk duhet të mbërrijë përpara të enjtes.
Së bashku me Xhekon, falë të cilit Roma do të përfitojë një shumë të rëndësishme, do të niset drejt Çellsit edhe Emerson Palmieri, i spostuar pas dëmtimit të rëndë dhe blerjes së Kolarov. Në momentin që do të shkruhet e zeza mbi të bardhë për shitjen e dyfishtë, Monçi do të mund të përforcojë skuadrën verdhekuqe dhe në këtë aspekt objektivat janë një mbrojtës i djathtë dhe një sulmues krahu, duke qenë se në vendin e Xhekos do të luajë Shik. Emri më i mundshëm për rolin e mbrojtësit të krahut për momentin është ai i Aleks Vidal, aktualisht me Monçin në Sevilja dhe një hap transferimit nga Barcelona që mund ta lërë të largohet në formë huazimi me detyrimin për blerje. Për sa i takon kapitullit të sulmuesit të krahut emri më i lakuar është ai i Ferreira Karraskos, edhe ky lojtar aktualisht pak i përdorur tek Atletiko e Madridit, por për të cilin do të duhet një sforco më shumë pasi sipas “La Gazzetta dello Sport” spanjollët e vlerësojnë rreth 35 milionë euro.