Xhek London i preferuar edhe nga komunistët, edhe nga fashistët

Xhek London (John Griffith Chaney London, 1876-1916) është ndoshta shkrimtari i vetëm në botë, krijimtaria e të cilit është përdorur politikisht edhe nga komunistët, edhe nga fashistët? Megjithëse me një fëmijëri mjaft të vështirë dhe i pashkolluar, ai u bë autori më popullor amerikan i fillimit të shek.XX, duke u përkthyer suksesshëm edhe jashtë saj. Porse, idetë e tij të majta që imanifestoi në libra dhe në jetën publike, bënë të mundur që ai të botohej sidomos, masivisht në Rusinë bolshevike dhe në të gjithë vendet e kampit socialist lindor.

Mirëpo, pakkush e di që London, ka qenë shkrimtar “bestselers” edhe në Gjermaninë e Hitlerit dhe Italinë e Musolinit. Kjo, për faktin që ai besonte edhe në teorinë e Niçes të “racës superiore”. Kështu, mjaft vepra të prozatorit amerikan, sidomos ato për të rinj dhe fëmijë, u botuan edhe në këto gjuhë, duke u përdorur kështu nga propaganda fashiste dhe naziste. Xhek London, konsiderohet ndër autorët më të lexuar edhe në Shqipërinë komuniste para viteteve ’90-të.

Romanet “Martin Iden”, “Thundra e hekurt”, por edhe të tjerë ishin pjesë e literaturës shkollore për disa dekada dhe emri i tij, zëvendësonte në një farë mënyre tek lexuesi letërsinë e huaj të ashtuquajtur “dekadente”, përfaqësuesit më të spikatur të së cilës, as që njiheshin gjatë 4-5 dekadave të diktaturës. London u nda nga jeta në moshën 40 vjeçare, si pasojë e p^rdorimit të medikamenteve kundër alkoolit. Por, pjesa më e madhe e biografëve mendon që me anë të tyre, ai ka kryer vetvrasje.