Legjenda e Liverpulit, Stiven Xherrard, i ka forcuar akoma spekulimet se Emre Xhan do t’i bashkohet Juventusit. Ka kohë që raportohet se mesfushori që e përfaqëson Gjermaninë ka arritur marrëveshje bazë për të kaluar te “Zonja e Vjetër” në verën e ardhshme, duke qenë se atij i përfundon kontrata me “Redsat” në fund të këtij sezoni.
“Xhan nuk luajti kundër Portos për shkak të suspendimit, ndërsa ish-mesfushori anglez që tash ishte i angazhuar si ekspert nga “BT Sport”, ka folur rreth opsioneve të Jurgen Kloppit në mesfushë. Strategu gjerman vendosi të luante në mesfushë me Henderson, Xhejms Milner dhe Vijnaldum, ndërsa Gerrard ka thënë se Liverpuli duhet të mësohet të luajë pa 24-vjeçarin.
Kur është pyetur se a do të mund të luajë Hendersoni pas transferimit të Naby Keitas nga RB Laipzigu, legjenda e “Të Kuqve” tha: “Duhet të shohim çfarë do të ndodhë, sepse Emre Xhan po largohet dhe është e qartë se Keita po vjen”, tha ish-kapiteni i Liverpulit. Xherrard mendon se Henderson luan futbollin më të mirë në një pozitë më të avancuar dhe beson se Xhan është përshtatur më shumë të luajë në pozitën e mesfushorit defensivë. Liverpuli ka arritur marrëveshje me RB Laipzigun për transferimin e Keitas për 52 milionë funte (58.5 milionë euro) dhe ai do të luajë në “Anfield” nga korriku i këtij viti.