Urim HASIPI
Tetovë, 31 mars – Brenda muajit prill pritet që të vendoset gurthemeli për ndërtimin e Xhamisë në Kodrën e Diellit. Kjo është bërë e ditur nga ana e muftiut të Muftinisë së Tetovës, Qani efendi Nesimi, i cili nënvizoi se kjo është një iniciativë e kahershme e popullatës dhe njerëzve që jetojnë në Kodrën e Diellit, shkruan gazeta KOHA. Ai tha se për këtë kërkesë është biseduar me vite, se atje duhet të ketë një objekt fetarë që t’ju shërbejë muslimanëve, t’ju shërbejë njerëzve në atë vend.
“Është shumë e vërtetë që ka një listë nënshkrimesh të grumbulluara shumë më herët dhe atë ne e posedojmë. Jemi në kontakt më të gjithë njerëzit, gjithashtu ne kemi një listë nënshkrimesh që kemi marrë nga banorët që banojnë në Kodrën e Diellit. Ne kemi kërkesën që kemi bërë në Komunën e Tetovës, për të cilën kemi marrë edhe përgjigje pozitive me shkrim që kjo është për lëvdatë edhe për komunën. Kemi bërë edhe projektin për ndërtimin e këtij objekti fetar, pra kërkesën e popullatës edhe me gojë, edhe me anë të nënshkrimeve të shprehur, ne jemi munduar që ta jetësojmë, ta kthejmë në praktikë, ta konkretizojmë dhe e njëjta kërkesë mendoj se së shpejti edhe do të realizohet. Do të kemi një objekt fetarë, gjegjësisht një xhami ku do të mund t’i shërbejmë asaj shoqërie dhe asaj popullate në Kodrën e Diellit. Ne kemi bërë projektin në detaje dhe jemi duke bërë përgatitjet e para që brenda këtij muaji, gjegjësisht muajit prill të fillojmë me ndërtimin e objektit fetarë islam në Kodrën e Diellit. Pra, është dokumenti, leja e dhënë nga Komuna e Tetovës, është dokumenti i mëhershëm nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë që ka dhënë leje për ndërtimin e xhamisë në Kodrën e Diellit, kështu që ne kemi bërë kërkesën, kemi bërë projektin dhe shpresojmë që me ndihmën dhe kontributin që do të na jep xhemati ynë, xhaminë do ta finalizojmë”, thotë muftiu i Tetovës.
“Nuk ka fjalë se çdo xhami e bën xhemati i vet. Ajo është një xhami që ka një xhemat ndoshta sezonal atje, por gjithë xhemati i Muftinisë së Tetovës është mjaft i interesuar. Kemi edhe xhematë të muftinive të tjera të vendeve të tjera, të cilët kanë shtëpitë apo vilat e tyre atje, pra të gjithë janë të interesuar që atje të ketë një objekt fetarë, edhe rruga e financimit të atij objekti do të jetë kontributet vullnetare të popullatës dhe shoqërisë sonë dhe ne aspak nuk kemi dyshim se me kontributet e shoqërisë do të arrijmë që atë objekt ta ndërtojmë, ta finalizojmë që të jetë në shërbim të shoqërisë. Në këtë kontekst, xhamia do të jetë një objekt që do t’i shërbejë atij vendi. Mendoj se ky objekt ka munguar shumë, mendoj se popullata jonë është shumë në pritje të një objekti fetarë, prandaj ne nuk kemi bërë asgjë tjetër vetëm se dëshirën dhe aspiratën e xhematit dhe popullatës tonë jemi munduar që ta konkretizojmë që në fund inshallah me lejen e Allahut edhe do ta finalizojmë”, deklaroi Qani Nesimi, mufti i Muftinisë së Tetovës.
Ai më tej tha se xhamia nuk ndërtohet se pse atje ka kishë, por për t`i shërbyer komunitetit musliman. “Unë nuk besoj se mund të ketë kundërshtime, ne jemi në kontakt më të gjithë. Nuk besoj për arsye se nuk ndërtojmë xhami pse ka kishë, por në ndërtojmë xhami pse ka muslimanë atje dhe kemi xhemat, i cili kërkon që të ndërtohet kjo xhami. Unë do të isha i mendimit që asnjëherë jo vetëm xhamia, por asnjë objekt fetarë të mos ndërtohet për inatin e dikujt tjetër ose ndonjë objekti tjetër fetarë. Kjo nuk është mirë. Është e vërtetë që popullata jonë është pak e prekur se shteti ka mundësuar ndërtimin e një kishe dhe nuk ka mundësuar edhe ndërtimin e një xhamie. Ky është një realitet dhe për këtë mendoj se duhet të mbajnë përgjegjësi ata të cilët kanë vendosur për kishën dhe nuk kanë vendosur për xhaminë. Kjo është një e vërtetë. Ne i përgjigjemi kërkesës së xhematit. Nuk besoj të ketë ndonjë përplasje, nuk besoj të ketë ndonjë indikacion që të jetë dikush kundër xhamisë, sikur që nuk ka pasur dikush indikacion që të jetë kundër kishës, askush prej popullatës sonë nuk ka shkuar që të dëmtojë ose t’i bëjë dëm kishës, por kisha ka vendin e vet dhe ju shërben komunitetit ortodoks, të cilët e kanë atë për shërbimet e tyre fetare, ndërsa ne ndërtojmë xhami për popullatën tonë që t’i shërbejmë popullatës tonë . Unë mendoj se ndërtimi i xhamisë e kompleton shërbimin që do t’i bëhet popullatës në Kodrën e Diellit. Ndërtimi i kësaj xhamie e kompleton një boshllëk dhe një zbrazëtirë që ekziston në atë hapësirë gjeografikë të Komunës së Tetovës”, u shpreh ai.
Përndryshe, është hapur edhe xhirollogaria në valutën e Maqedonisë dhe valutat ndërkombëtare që popullata ka mundësi që t’i shfrytëzojë këto për të donuar nëpërmjet bankës. ”Po ashtu njerëzit mund të bëjnë pagesa edhe te xhamitë e ndryshme që janë në kontakt me ne, ata do të kenë edhe dokumentacion që do t’i japin palës, e cila kontribuon për çdo gjë që do të grumbullohet, do të japim raporte para xhematit se për këtë xhami është grumbulluar kaq para, kemi po ashtu edhe numra terminal, numra telefonik. ONE dhe VIP na kanë dorëzuar numrat dhe janë aktiv. Presim që edhe nga T-Mobile një numër ku çdo zile që bën, 100 denarë do të donohen për xhaminë që do të ndërtohet në Kodrën e Diellit”, sqaroi kreu i Muftinisë së Tetovës.
Kërkesa për këtë xhamia daton që nga viti 1999 e këndej, por deri më tash nuk është bërë asgjë që e njëjta të konkretizohet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara