Xhamia e Shkodrës ose e quajtur ndryshe e Plumbit është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX. Është quajtur Xhamia e Plumbit për motivin e vëtm sepse në fillimet e saj kjo xhami, çatinë e kishte të veshur me plumb. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës.
Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë, vetëm ata.
Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistent ndaj veprimeve erozive.
Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe përbrenda, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën e shqiptarit, shërbimet e monumenteve të kulturës, i vendosën një mbulesë me çimento për ta shpëtuar këtë thesar jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor.
Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj. Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Viti 1187 Hixhri është data e ndërtimit të xhamisë së madhërishme prej Mehmet Pashës, zot i bamirësive. Dhe më poshtë:“Viti 1280 është data e riparimit të xhamisë prej kujdestarit të saj Mahmut Berberi”. Respektivisht, këto dy data të kalendarit islamik, përkojnë me vitet 1773 dhe 1863. Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. (konica.al)