Objektet siç janë Xhamia e Pashës dhe Teqeja “Arabati Baba” janë asete të vlefshme kulturore është e patjetërsueshme që këto vlera të ruhen, konservohen dhe mirëmbahen. Ato herëpashere kanë nevojë për merremetime dhe restaurime të cilat kërkojnë mjete financiare
Nga Mislim ZENDELI
Valorizimi i pasurive, i vlerave kulturore dhe i objekteve të trashëgimisë është bërë një çështje parësore me shumë peshë në shekullin XXI. Tetova ka më shumë atraksione, vende tërheqëse, të njohura turistike dhe objekte me vlera të veçanta si monumente kulture, site turistike, e të cilat paraqesin potenciale turistike që mund të shndërrohen në burime të ardhurash që sjell turizmi. Më të rëndësishmet andaj edhe më të vizituarat janë: Xhamia e Pashës dhe kompleksi i teqesë “Arabati Baba”. Xhamia e Pashës në popull e njohur si xhamia e Larme është e vendosur në anën e djathtë të lumit Shkumbin, në afërsi të Hamamit të vjetër dhe Urës së Gurit dhe paraqet një atraksion të vërtetë kulturor dhe fetar në qytetin e Tetovës. Ndërtimi fillestar i Xhamisë daton nga viti 1495. Legatë të saj janë dy: Hyrshidja dhe Mensurja, të cilat janë të varrosura në tyrben tetëkëndëshe në oborrin e Xhamisë. Në vitin 1833, Xhaminë e ka rinovuar dhe zgjeruar Abdurrahman Pasha, andaj edhe e ka marrë emrin e tij. Nga ana arkitekturale Xhamia e Pashës përfaqëson një ndërtim njëhapësinor katror në të cilën janë të ndërthurur e të gërshetuar baroku dhe stili neoklasik osman.
Ndërkaq objekti tjetër i trashëgimisë kulturore tetovare është Teqeja “Arabati Baba”. Ky është një kompleks i ngritur e i ndërtuar në shekullin e 18 nga Rexhep Pasha dhe djali i tij Abdurrahman Pasha, të cilët përmenden dhe në ndërtimin e Xhamisë së Pashës në Tetovë si dhe të Kalasë së Tetovës. Thuhet por ka edhe të dhëna që flasin për ndërtimin e teqesë. Fillimisht ndertimin e ka nisur Sersem Ali Baba, si investues dhe ideator i objektit. Sot, Teqeja përfaqëson kompleks objektesh fetare, të grupuara rreth tyrbes (varrit) të Sersem Ali Babës, dervish i cili i përkiste rendit të bektashinjve. Nga këto objekte deri sot janë ruajtur: shatërvani, tyrbja, kulla, çezma, kuzhina – dhoma e ngrënies, konaku i miqve, dervishhania, haremllëku.
Duke u nisur nga statistikat (të cilat nuk përkojnë me realitetin, pasi nuk janë bërë hulumtime me të dhëna të besueshme në terren me qëllim të numërimit dhe konstatimit të numrit të vizitorëve përmes metodave të njohura shkencore) Tetovën e vizitojnë diku rreth 8.000 turist në vit. Ky numër nuk është i vogël duke pasur para sysh se Tetova sot e kësaj dite nuk ka arritur të ndërtojë strategji dhe operativë të mirëfilltë për turizmin në përgjithësi e në veçanti për turizmin kulturor.
Nëse do të bënim një bilanc të dhjetë viteve të fundit të zhvillimit të turizmit në komunën e Tetovës do të konstatojmë se këtu ka një rritje të numrit të turistëve por zhvillimi është si të thuash kaotik, që prek dhe dëmton rëndë asetet turistike në shumë zona. Ka një joprofesionalizëm a po thënë më shkoqur një dilentalizëm të theksuar në planifikimin dhe menaxhimin e shërbimeve turistike, ndotje të nduarnduarshme, të të gjitha llojeve, të ambienteve dhe të ngjshme. Të dhënat nga terreni nxjerrin në pah neglizhencën e grupeve të interesit: pronarëve (në rastin konkret, Bashkësia Fetare Islame), ofruesve të shërbimeve turistike (artizanatet e suvenirëve), qeverisjes vendore, organizatave joqeveritare nga fusha e turizmit etj,.
Edhepse punësimi në turizëm pengohet nga sezonaliteti dhe nivelet e larta të ndryshimeve, ku mund të hyjnë edhe ato të natyrës ligjore, kur bëhet fjalë për turizmin kulturor kjo pengesë zvogëlohet apo vjen e bëhet gati inekzistues, gjë që ndikon në joshjen e të rinjëve për punësim në veprimtaritë turistike lokale.Midis këtyre problematikave të shumta që shoqërojnë zhvillimin turistik në komunën e Tetovës, duhet përmendur edhe mungesa e guidave të liçencuarë turistikë për objektet në fjalë. Kjo situatë shfrytëzohet jo sa e si duhet, pra keqas nga agjencitë turistike, të cilat sjellin guidat e tyre dhe Tetovës nuk i ngel asgjë nga vizitat përveç zhurmës, kaosit dhe bërllokut që lënë vizitorët e shumtë . Intervistat e hëpërhërshme me vizitorët që transmetohen në media e veçmas në televizionet lokale e rajonale, tregojnë se ka mungesë të guidave profesionistë për objektet në fjalë. Guidat turistikë janë jo vetëm ambasadorë të vendit por edhe mbrojtës të aseteve vendore. Guidat turistikë kanë fuqinë e madhe për të ndikuar te perceptimet e turistëve lidhur me cilësinë e produktit turistik thuajse në të gjitha destinacionet. Për pasojë, ata kanë ndikim të madh në shtimin e numrit të turistëve. Duke qenë se janë pjesë e ofertës turistike janë shumë të lidhur me perceptimin e turistëve mbi eksperiencën e kaluar dhe përjetimet nga këto vizita. Kjo ndikon në rritjen e të ardhurave të përgjithshme për bizneset e turizmit. Në këto kushte, mendoj se është imediate përgatitja dhe liçencimi i guidave tona, të cilat duhet të marrin në dorë drejtimin dhe përcjelljen e vizitorëve në këto objekte me vlera të mëdha trashëgimore. Rregullimi i këtij problemi përmes përgatitjes dhe liçencimit të guidave turistikë do t’i jepte një tjetër rëndësi, seriozitet dhe mbi të gjitha përgjegjësi vetë zhvillimit të turizmit kulturor në komunë. Kjo do të rriste interesimin për studime në drejtimin turistik nga njëra anë ndërkaq që nga ana tjetër do të joshte të rinjtë që të përcaktohen në trajnimet dhe aftësimet për guida turistikë. Shkolla e mesme profesionale e hotelerisë në Tetovë e në veçanti fakulteti Ekonomik – drejtimi Turizëm, pranë Universitetit të Tetovës, janë institucionet relevante të cilat mund ta ofrojnë këtë aftësim për trajnim specifik.
Në mënyrë që të nxitët dhe ndihmohet zhvillimi i turizmit kulturor në Tetovë, mendoj se, duhen që parapraktisht të realizohen synimet e mëposhtme:
Ngritja e një organi të veçantë për bashkëpunim mes aktorëve siç janë operatorët turistikë, institucionet gjegjëse republikane (Sektori i zhvillimit të turizmit, pranë Ministrisë së Ekonomisë) por edhe pronarit (BFI) të objekteve në fjalë si domosdoshmëri dhe nevojë në mënyrën e organizimit dhe valorizimmit turistik të vlerave arkitekturale në qytetin e Tetovës. Partnerë të këtij bashkëpunimi mund të jenë dy universitetet; Njësia për zhvillim dhe promovim të turizmit pranë sektorit komunal për zhvillim ekonomik, GIZ, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, OJQ-ët që si fushëveprim kanë Turizmin dhe ruajtjen e ambientit jetësor, etj. Formimi dhe zhvillimi i asociacioneve dhe shoqatave në nivel rajoni dhe nivel vendi, që do të funksiononin si gjenerator i zhvillimit të turizmit si biznes fitimprurës. Të gjitha këto në drejtim të valorizimit turistik të dy objekteve, por jo vetëm, me rëndësi jetike në ekonomin e qëndrueshme në komunë. Përdorimi i praktikave më të mira si shembuj për të promovuar dhe organizuar një përdorim më efiçent të aseteve turistike do të ishte një ndihmesë e çmuar.
Të identifikohen, promovohen dhe organizohen manifestime dhe panaire pranë këtyre objekteve si dhe të njëjtat të bëhen pjesë e ofertës rajonale turistike,
Të bëhet virtualizimi i objekteve të trashëgimisë kulturore me paisje softverike dhe rrjetëzimi i këtyre objekteve për t’u ofruar në një guid të përbashkët.
Të përpilohet një plan strategjik i përbashkët i të gjithë aktorëve për shtimin e vizitorëve.
Përmes një bashkëpunimi të organeve dhe institucioneve përkatëse të komunës pa edhe më gjerë në nivel vendi, dhe të caktohen lokacione për parkimin e autobusëve dhe mjeteve tjera të udhëtimit sa më afër objekteve.
Të inicohet hapja e një zyre informative turistike, sa më afër pikave të cekura turistike. Lokalitetet turistike të bëhen të qarta përmes pankartave dhe tabelave informative të gjitha kushtet e vizitave, orareve, pagesave dhe indikatorëve të tjerë, me një fjalë të bëhet sinjalizimi turistik. Krahas këtyre qëndrave informative turistike të organizohet shitja e suvenirëve dhe produkteve të tjera që paraqesin vlera etnologjike dhe etnografike të popullatës në komunë dhe më gjerë.
Të punësohen disa guida profesionistë të cilët do jenë të çertifikuar dhe njohës të mirë të gjuhëve të huaja angleze, franceze, turke, gjermane dhe të ngjashme. Kësisoj do të krijohen vende të reja pune dhe njëherazi do të joshen të rinjtë të studiojnë në fakultetin ekonomik-Drejtimin turizëm pranë universitetit të Tetovës.
Të realizohen një numër aktivitetesh “one stop shop” lokale për promovimin online, të cilat të bëjnë bashkë bizneset dhe mund të shërbejnë si platformë, ku ofruesit mund të reklamojnë shërbimet e tyre, dhe të theksojnë disponibilitetin dhe çmimet e shërbimeve guidale apo suvenirëve nga objektet përkatëse.
Meqë objektet siç janë Xhamia e Pashës dhe Teqeja “Arabati Baba” janë asete të vlefshme kulturore është e patjetërsueshme që këto vlera të ruhen, konservohen dhe mirëmbahen. Ato herëpashere kanë nevojë për merremetime dhe restaurime të cilat kërkojnë mjete financiare. Mungesa e mjeteve financiare është zakonisht pengesa më e madhe në realizimin e projekteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sidomos në nivel lokal dhe rajonal jo vetëm në rastin konkret. Grumbullimi i mjeteve financiare për mirëmbajtjen e tyre mund të arrihet përmes shitjes, me çmime qoftë edhe simbolike, të biletave hyrëse për vizitorët. Sipas mendimit tonë planifikimi, organizimi dhe realizimi i pagesave që do të bënin vizitorët si kundërvlerë të vizitave të paguajnë çmim të arsyeshëm, pasi kjo formë gjeneron të ardhura të qëndrueshme, më se të nevojshme për jetëgjatësinë e objekteve të trashigimisë kulturore.
Për fund mund të themi se destinacioni turistik i qytetit të Tetovës nuk mund të zhvillohet pa një platformë apo strategji aktivitetesh mirë të harmonizuara nga aktorët relevant të sipërpërmendur. Është evidente se organizimi është i mangët, të mos themi edhe jopërkatës. Një ndërhyrje e propozuar mund të përfshijë përforcimin e funksionit të hulumtimit të tregut turistik, dhe me theks të veçantë zhvillimin e kapaciteteve për kërkim tregu në formën e analizave të tregut, anketimeve të vizitorëve, kërkim për grumbullim të dhënash apo studime për segmentimin e tregut për të ndihmuar aktorët e turizmit kulturor që të kuptojnë ndikimin ekonomik nga ana e qarkullimeve turistike. Ky veprim me siguri se do të sjellë dobi ekonomike për popullatën lokale që paraqet synimin kryesor të turizmit të qëndrueshëm, si formë më e avansuar e veprimtarisë së përgjithshme turistike. Kjo zatën është reflektim dhe paraqet një si pasqyrë nga përvojat e suksesshme të vendeve të zhvilluara në këtë fushëveprim.