Evis HALILI
Shkup, 30 mars – Me vlera unike dhe të papërsëritshme, dy monumentet e trashëgimisë kulturore, Xhamia e Larme dhe Teqeja Arabati, konsiderohen si objekte të cilat pashmangshmërisht duhet të jenë pjesë e regjistrit të trashëgimive të UNESKO, shkruan gazeta KOHA. Në Qendrën Nacionale të Konservimit kanë përfunduar me valorizimin dhe përgatiten e dosjes së xhamisë së Larme, e cila vitin e kaluar mori edhe lejen nga Këshilli Nacional i Trashëgimisë. Por, jo edhe nga pronari, Bashkësia Islame, e cila ende nuk ka dhënë përgjigje nëse dakordohet që ky monument të kalojë nën mbrojtjen e UNESKO. Sipas ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë, asnjë propozim nuk mund të realizohet pa u konsultuar me pronarin. Drejtori i QNK, Memet Selmani, pohon se kanë mbi shtatë muaj ë e kanë dërguar kërkesën në BIM, por nuk kanë marrë përgjigje.
“Ne e bëmë valorizimin që u miratua edhe nga KNT, kështu që presim se çfarë kanë vendosur BIM. Edhe pse bëhet fjalë për një monument të kategorisë së parë, asgjë nuk mund të bëhet nëse pronari i saj nuk është dakord. Ne i kemi dërguar gjithçka kriteret që duhet të plotësohen, kushtet e kështu me radhë. Por jo rastësisht kemi insistuar që Xhamia e Larme të bëhet pjesë e regjistrit të trashëgimisë botërore, sepse e meriton, po aq sa edhe Teqeja Arabati. Për këtë të dytën ende s’kemi bërë asgjë, për shkak se mosmarrëveshjet që ka BIM dhe komuniteti bektashian nuk lejojnë asnjë ndërhyrje të plotë. Këto janë dy objektet e vetme do të thoja që kanë vlera unikate në këtë format që kanë dhe është fatkeqësi që të mos kenë kujdesin që meritojnë”, thotë për KOHA, Selmani. Sipas tij, probleme të tilla me pronarin janë të kuptueshme, pasi marrja nën mbrojtje nga UNESKO, nënkupton që objektet të mos ndryshojnë asgjë dhe të ruajnë autenticitetin e tyre.
“Kur bëhet fjalë për objekte të kësaj kategorie ka hezitime, nga të dy bashkësitë fetare, edhe ajo ortodokse, sidomos tek ata është më e theksuar pasi atje ndërtohen edhe objekte shtesë, si konakë e të tjera, të cilat nuk bëjnë pjesë tek kriteret që duhet të plotësojë objekti që merret në mbrojtje”, sqaron Selmani.
Xhamia e Larme, e quajtur edhe Allaxha, apo Xhamia e Pashës, është objekt i ndërtuar në shekullin e 15-të ( vitin 1495) dhe e rindërtuar disa shekuj më vonë nga Abdurrahman Pasha. Një objekt kulti që po aq është i veçantë për vlerat estetiko-artistike, dekoracionet e kuruara deri në detaje. Një nga objektet më atraktive, jo vetëm në Tetovë, por edhe në Maqedoni dhe destinacion i turistëve të huaj, kureshtja e të cilëve ngacmohet për ta vizituar këtë objekt pa shkelur ende në Maqedoni. Mirëmbajtja e objektit dhe restaurime të pjesëve të veçanta të saj si donatorë potencialë ka pasur institucione dhe organizata të huaja, si edhe Ministrinë e Kulturës. Para pesë vjetësh Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështeti me mbi 90 mijë dollarë punimet për konservimin dhe restaurimin e fasadës së objektit. Xhamia e larme ishte një prej 11 objekteve për të cilat u ndanë grante nga Fondi ambasadorial për mbrojtjen e kulturës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara