Xhambazët e Gjuhës Shqipe

54

Xhambazët e gjuhës shqipe duhet të heshtin dhe të prajnë me përbaltjen dhe zhvleftësimin e identitetit tonë duke mbjellë dyshime, ambiguitete, pesimizëm, si dhe ndjesinë e turpit dhe të fajit

Nga Shaqir ISLAMI

Nuk besoj se, ka një gjuhë tjetër në rruzullin tokësorë,  më të nëpërkëmbur, më të përbuzur dhe më të shpërfillur se gjuha shqipe. Kjo dukuri rrëqethëse, ndodh mes nesh; ashiqare mu para hundëve tanë dhe askush nuk bëzan! Gjuha është vegël e komunikimit dhe simbol-shtyllë e identitetit të sekujt. Gjuha e ruan kujtesën historike, trashëgiminë kulturore, qenien e çdo grupi, fisi, kombi. Gjuha është shpikja thelbësore e njeriut. Prandaj, është palca e një kombi, me të cilën nuk duhet tallur. Asnjeri. Dhe nuk guxon ta përbuz dhe nëpërkëmbë. Asnjeri. Në kulturat anekënd dhe rreth e përqark, për një dukuri negative të kësaj natyre, bëhet tymnajë e çohet pluhur i madh. Kështu nuk ndodh me gjuhën shqipe!!

Shekulli 21 i takon fjalës, gjuhës, informacionit, komunikimit… medias. Gjuha amtare trajtohet me seriozitet dhe interes të madh, si e drejtë themelore dhe universale e njeriut, e cila përkrahet dhe promovohet si nga OKB ashtu edhe nga BE.  Kjo që ndodh me shqipen ta rrëqeth trupin! I gjithë ky  ‘hajgarellëk’ që ndodh me kumtimin mes nesh. Në çdo nivel dhe çdo segment të shoqërisë sonë!  Përgjegjësia për nëpërkëmbjen e gjuhës shqipe, natyrisht se, bie mbi shpatullat e elitave politike, intelektuale, akademike, të industrisë së medias dhe po se po secilit qytetarë që e identifikon veten si shqiptarë. Gjuhën e kemi pronë publike. Ashtu siç e përdorim duhet edhe ta kultivojmë dhe ta mbrojmë. Si çdokush tjetër. Gjuha është amaneti i të lashtëve dhe doemos të përmbushet, nga secili.

Kjo që ndodh me gjuhën shqipe, nuk është një rastësi. Nuk është pa hile, dinakëri dhe dashakeqësi. Kjo valë e shtrembërimit dhe të gërryerjes së gjuhës si simbol i identitetit kombëtarë, ashiqare i vjen erë qelbi, si një luftë speciale e informacionit.  Nuk duhet shumë mund, dhe çdokush ta vërejë se çka ndodh në sferën publike, se çka ndodh në kumtimin politik dhe se çka ndodh në komunikimin e mediave me masën dhe në kumtimin mes nesh. Kurrë nuk ka pasur më shumë ndërmarrje të mediave; kurrë, nuk ka pasur më shumë qarkullim të informacionit mes njerëzve; kurrë nuk ka qenë më lehtë përçimi i fjalës, idesë, dijes, … pa i kulluar fare.

Sot – kur na vërshon informacioni, dhe bile, na sulmon me ‘clickbait’ –  hall i përditshëm i njeriut është se, si të mbrohet nga informacion i bollshëm dhe bile i tepruar, e jo më, që ta gjejë atë.  Jetojmë një kohë të habitshme, sepse deri dje hall i madh ishte që ta gjejmë informacionin; sot, përpiqemi si të mbrohemi dhe ta kullojmë atë, nga ndotjet e llojeve të ndryshme. Prandaj,  zanati i gazetarisë bashkëkohore quhet – me të drejtë – “roja e portës’. Paradoksi me gjuhën shqipe, është se në vend që të shtohet interesi për kultivimin, fisnikërimin, përsosjen, pasurimin, nderimin, ndodh e kundërta. Merak i madh i disave nga ne që të zëvendësohen fjalët shqipe me fjalë të huaj. Kjo prirje -gati në çdo fushë – ndodh qëllimshëm, duke e përbuzur fjalën shqipe karshi fjalëve të huaja. Dukuria e shtrembërimit dhe të përbuzjes së gjuhës sonë amtare nuk duhet të trajtohet si: pa dashje, e paqëllimshme, ‘hajt se do rregullohet një ditë’, … siç e kemi adet !

Sot – jemi thellë në shekullin 21 – në mesin tonë gjallërojnë edhe xhambazët e gjuhës shqipe, të maskuar me tituj të ndryshëm autoritetesh, . Ky zanat – ndoshta nuk është i tashëm dhe i ri – është pjellë hileqare nga qendra dushmane të identitetit shqiptar; zanat qëshumica nga ta e bëjnë për shkaqe të interesave personale, të përfitimeve të llojllojshme, të privilegjeve, për plotësim të nevojave vetjake, motivime të ndryshme të psikografisë personale, … por, gjithmonë të fshehur dhe të veshur me petkun e patriotizmit apo edhe të nacionalizmit. Në kontekstin aktual, sekush nga ne mund të sheh dhe të dëgjojë se si – ashiqare, pa pikë hezitimi, sulmohet pamëshirshëm dhe pa hesap identiteti shqiptar nga qendra të interesave të ndryshme,  nga qarqe të brendshme dhe të jashtme. Gati çdo vlerë, besim, traditë, histori, simbol dhe gjuha përbaltet, karikaturohet, njolloset, zhvleftësohet pamëshirshëm edhe nga patriotë dhe gjoja se nacionalistë të përkushtuar ndaj kombit të tyre. Burim kryesorë i informacioneve të helmuara për ta gërryer, rrënuar dhe dëmtuar identitetin kombëtar shqiptar janë mediat në gjuhën shqipe. Në këtë luftë të informacionit ka aktorë të ndryshëm, nisur prej berberit, … e deri tek gazetarë, akademikë, shkrimtarë, …

Njollosja e simbolit të Skënderbeut, të Nënës Terezë, të Besës shqiptare, … e deri te njollosja dhe kriminalizimi aktual i UÇK-ës, bëhet nga xhambazë-patriotik dhe gjoja se nacionalistë të sojeve të ndryshme përmes një lufte të egër të informacionit kundër çdo gjëje shqiptare. Kjo luftë, është në vrullin më të madh. Ditët e fundit, lufta e informacionit i nguli kthetrat edhe tek vlerat tona botërore si Dua Lipa dhe Rita Ora! Nëse tash nuk mbushemi me mend, që ta ngremë zërin dhe ti bjerrim mendjes se, duhet ta çmojmë veten dhe çdo simbol të identitetit tonë, natyrisht,  duke i respektuar edhe të tjerët. Ai që nuk e nderon veten nuk mund ta nderojë tjetrin!

Xhambazët e gjuhës shqipe duhet të heshtin dhe të prajnë me përbaltjen dhe zhvleftësimin e identitetit tonë duke mbjellë dyshime, ambiguitete, pesimizëm, si dhe ndjesinë e turpit dhe të fajit.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Comments are closed.