Një ditë do të më vijë koha edhe mua kur do të debutoj si futbollist profesionist. Kështu ishte shprehur Usain Bolt disa vite më parë, pasi kjo ishte ëndrra e tij
Rekordmeni i botës në garën e 100 dhe 200 metrave, Usain Bolt, pritet të debutojë në ndeshje futbolli. Pas një jave përgatitje në Australi me ekipin e Central Coas Mariners, xhamajkani këmbëshpejtë do të luajë në ndeshjen miqësore ndaj një ekipi amator. Bolt do të luajë si mesfushor i krahut të majtë në këtë përballje. Fituesi i 8 medaljeve të arta olimpike është përgatitur shumë gjatë kësaj periudhe me ekipin e tij.
“Ndjehem nervoz dhe i emocionuar para ndeshjes miqësore, e kështu do të ndjehem edhe në ndeshje. Kjo përballje ka shumë rëndësi për mua sepse nuk është ndonjë ndeshje bamirësie. Synimi im është që të nis një karrierë si futbollist profesionist. Kam për të bërë shumë gabime, për këtë gjë jam i vetëdijshëm. Ndeshja ime nuk do të jetë në nivel të lartë dhe e mrekullueshme. Unë do ta jap maksimumin nga vetja për tu ndjerë krenar”, është shprehur Bolt.
Gushtin e kaluar xhamajkani i cili u largua nga atletika ka folur për ushtrimet të cilat i ka kryer ditëve të fundit. “Kam bërë stërvitje si mesfushor i krahut të majtë. Ky është pozicioni i cili më përshtatet më së miri mua dhe karakteristikave të mia si sportist. Nuk do të vrapoj gjatë tërë kohës. Futbolli është lojë në grup dhe unë jam praktikuar t’i përshtatëm lojës në skuadër”, tha kampioni.