Xhamajka zyrtare: Keqardhje për keqkuptimin, s’e kemi njohur Kosovën

3

Xhamajka deri tani nuk ka marrë asnjë vendim rreth njohjes së Kosovës, shtet të pavarur. Kështu ka bërë të ditur zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës, në një përgjigje për Klan Kosovën, në natën e së shtunës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës është në dijeni për raportimet publike rreth njohjes së Kosovës si shtet i pavarur”, i shkruan Klan Kosovës, Njësia për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Mediale e MPJTJ’së së Xhamajkës.

“Çështjet si këto janë në shqyrtim të vazhdueshëm nga Qeveria e Xhamajkës. Megjithatë, tani për tani, Xhamajka nuk ka marrë asnjë vendim rreth çështjes”, thekson komunikata.

Madje kjo Ministri, shpreh keqardhje për keqkuptimin rreth qëndrimeve për njohje, njofton Klan Kosova.

“Rrjedhimisht, është për keqardhje që ka ndodhur një keqkuptim i qëndrimit të Xhamajkës”, ka bërë të ditur MPJTJ e Xhamajkës.

Përgjigjia zyrtare e Xhamajkës për Klan Kosovën vjen pak pasi ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e ka thyer heshtjen e saj, disa ditë pas skandalit me njohjen e vendit nga Xhamajka.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte raportuar i pari, nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Twitter, se ishte informuar nga Çitaku se Kosova ka siguruar njohjen nga shteti ishullor. Por, pak orë më vonë, Xhamajka ka mohuar se ka vendosur për njohje.

Comments are closed.