“Mendoj se kapiteni duhet ta përfaqësojë skuadrën dhe Kombëtaren e Zvicrës, Xhaka nuk e bën një gjë të tillë. Nëse zgjidhët kapiten, atëherë ky do të jetë një problem i madh. Lojtarë si Sommer, Lichsteiner ose Schar, të cilët e përfaqësojnë Zvicrën tradicionale, mund të ndihen të përjashtuar, si edhe tifozët të cilët nuk do të identifikoheshin me skuadrën”, ka thënë Henchoz
Legjenda e futbollit të Zvicrës dhe ish-qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Stephane Henchoz, ka thënë se ylli i Arsenalit, Granit Xhaka, nuk duhet të zgjidhet si kapiten i Zvicrës pasi që ai mendon se festimi i golit me shqiponjë është i papranueshëm dhe se gjeste të tilla nuk kanë vend në futboll. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri u bënë temë e madhe diskutimi gjatë Kupës së Botës, pasi që i festuan golat kundër Serbisë duke bërë simbolin e shqiponjës me duar. Për shkak të këtij festimi, Xhaka dhe Shaqiri, si dhe Lichtsteiner, ishin dënuar me gjoba nga FIFA. Që nga atëherë, Xhaka ka kërkuar falje për këtë festim dhe ka thënë se nuk do ta përsërisë një gjë të tillë.
Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për Henchozin, i cili mendon se Xhaka nuk duhet të zgjidhët kapiten i Kombëtares së Zvicrës. “Mendoj se kapiteni duhet ta përfaqësojë skuadrën dhe Kombëtaren e Zvicrës, Xhaka nuk e bën një gjë të tillë. Nëse zgjidhët kapiten, atëherë ky do të jetë një problem i madh. Lojtarë si Sommer, Lichsteiner ose Schar, të cilët e përfaqësojnë Zvicrën tradicionale, mund të ndihen të përjashtuar, si edhe tifozët të cilët nuk do të identifikoheshin me skuadrën”, ka thënë Henchoz. “Lojtarët e Kombëtares së Zvicrës të cilët nuk kanë prejardhje tjetër dhe tifozët e Zvicrës do të ndiheshin të margjinalizuar. Disa lojtarë tregojnë për ndjenjën e mrekullueshme që kanë kur luajnë për Zvicrën. Dua t’i pyes ata: ‘Çka është kjo kënaqësi?’. Që ta tregojnë veten në skenën ndërkombëtare? Në mënyrë që pas Kupës së Botës, ata të transferohen në klube të mëdha?”, thotë Henchoz.
“Nuk është e nevojshme që të këndohet me zë të lartë himni, siç bëjnë jug amerikanët ose italianët. Por, te ato ekipe, e shoh që lojtarët me të vërtetë duanë të luajnë për vendin e tyre. Unë do t’i kisha mbledhur lojtarët para ndeshjes kundër Serbisë dhe do t’u thosha: ‘Diçka e veçantë po vjen rrugës sonë’. Ishte me të vërtetë e veçantë për ata që kishin kaluar fëmijërinë në ish-Jugosllavi. Unë do t’u kisha thënë të mos nxitohen dhe të mos bëjnë reagime të pamatura”, vazhdon më tej ish-qendërmbrojtësi i Liverpoolit.
“Duhet t’i ushtrojmë këta lojtarë të rinj që të mos jenë vetëm futbollist, por që ta përfaqësojnë Zvicrën, edhe nëse nuk i kanë rrënjët nga Zvicra. Shqiponja dykrenore nuk ka asnjë punë në këtë lojë. Shqiponja dykrenore nuk ka asnjë punë me Kombëtaren e Zvicrës”, thotë Henchoz. Ndërkohë, me një shkrim të publikuar të mërkurën, gazeta e madhe zvicerane “Blick” ka vazhduar të sulmojë Xherdan Shaqirin, yllin e futbollit shqiptar, por edhe të përfaqësueses së Zvicrës. Felix Bingesser, përgjegjës për rubrikën e sportit në Blick e ka vlerësuar budallallëk një deklaratë të Shaqirit të dhënë të martën në konferencë për shtyp. Në mënyrë indirekte ai ka sulmuar edhe Granit Xhakën.