Xhaka: I lumtur për shiritin, të gjithë me përgjegjësi

Granit Xhaka do të jetë kapiteni i ri i Arsenalit dhe për këtë nuk ka më dyshime. Ky vendim, për të bërë Xhakën kapiten, ka lënë të pakënaqur francezin Lorent Koshenli, i cili ka refuzuar të udhëtojë me skuadrën në Amerikë për fazën përgatitore duk kërkuar edhe largim nga ekipi. Klubi londinez, nuk e ka miratuar kërkesën e tij për ta shitur dhe tashmë, pritet të marrë edhe masa karshi tij.

Sakaq, në një prononcim për mediat, Xhaka pranoi se do të ishte shumë i lumtur nëse klubi e zgjidhte kapiten, ndërkohë që shtoi se në skuadër të gjithë duhet të ndihen si lider. Ai u shpreh se skuadra po ecën në rrugën e duhur dhe se mund të arrihet diçka në këtë mënyrë.

“Nuk është hera ime e parë dhe nëse klubi e trajneri vendosin të më japin shiritin, do të isha shumë i lumtur. Të gjithë do të punojmë në fushën e blertë dhe të gjithë duhet të kemi përgjegjësi dhe ndjenjën e liderit. Nuk është diçka që mund të ndryshojë brenda ditës, por për mendimin tim, jemi rrugës për të krijuar diçka të mirë me skuadrën”, u shpreh Xhaka.