Xhaka e gëzon tifozin e tij me nevoja të veçanta (VIDEO)

Granit Xhaka, shqiptari i kombëtares së Zvicrës, ka qenë mik me djaloshin e vogël që nga viti 2015, kur e shoqëroi atë në fushë, në ndeshjen e tij të parë si kapiten i Borussia Monchengladbach. Marrëdhënia e tyre u rrit gjatë vitit të ardhshëm, përpara se 26-vjeçari të lëvizte drejt stadiumit “Emirates”.

Tri vite nga takimi i tyre i fundit, palët u ribashkuan muajin e kaluar. Julian, i cili u diagnostikua me disa probleme gjenetike pas lindjes, në dhjetor 2010, mbërriti në fushën e trajnimit të “topçinjve” të Londrës dhe u takua menjëherë nga Granit Xhaka, para se të paraqitej me një fanellë të tij të personalizuar. Pastaj, Julian pa stërvitjen e ekipit anglez.

Pas seancës, ai ndërveproi me një pjesë të vogël të lojtarëve, duke përfshirë Mesut Ozil, para se të gjuante penallti për Pierre-Emerick Aubmeyang dhe Petr Cech. Atij iu bë dhurata e fundit, pasi mori pjesë në fitoren 2-0 ndaj Southampton, në Premier League. Arsenali ka postuar një video, që dokumenton përvojën unike të Julian si pjesë e “World Down Syndrome Day”, e cila përpiqet të tërheqë vëmendjen ndaj situatës me këtë sëmundje.

Duke folur për mediat, Xhaka tha: “Kam marrëdhënie të posaçme me Julianin, ai është shumë i veçantë dhe gjithmonë pozitiv. Ai gjithmonë është i buzëqeshur dhe tregon se mund të jesh i lumtur, edhe pse ke një aftësi të kufizuar. Ka shumë njerëz, që kanë gjithçka në jetë, dhe ende ankohen. Ky djalosh e di saktësisht se çfarë ka dhe ende e merr jetën pozitivisht, ka buzëqeshje në fytyrën e tij. Lidhja ime me të është shumë e veçantë”.