Ky vit i Granit Xhakës te Arsenali ka qenë shumë i trazuar. Mesfushori u përfshi në një zënkë me tifozët në tetor të vitit të kaluar, pas performancës së dobët të te tij në ndeshjen me Kristal Palas, të përfunduar me rezultatin 2-2. Fansat kërkonin në kor zëvendësimin e tij dhe kur ish-trajneri Emeri e nxorri nga loja, lojtari iu drejtua tifozëve me fjalë ofenduese, në gjaknxehtësi e sipër.
Pas kësaj, Xhaka nuk u pa për disa ndeshje në formacionin e Arsenalit dhe iu hoq shiriti i kapitenit. Ai ka folur gjatë për këtë moment në mediet angleze. Ylli i Zvicrës tregon se ka kaluar një periudhë shumë të keqe atë kohë, por shton se tifozët duhet të kuptojnë se ndonjëherë nuk është edhe aq e lehtë.
KOHA PAS EPISODIT- “Sigurisht që kishte një moment ku mendoja se s’do të luaja më me Arsenalin, nuk gënjej. Kishte një moment, sepse nuk ishte e lehtë për mua dhe familjen time. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë këtë. Por unë mendoj se tregova karakterin tim. Unë nuk jam një djalë që shmanget.”
RIMARRJA E SHIRITIT- “Nëse një ditë klubi më pyet për shiritin e kapitenit do të më duhet të mendohem dy herë. Në njërën anë i kuptoj tifozët, sepse gjithmonë duan që lojtarët të luajnë mirë, por nga ana tjetër duhet të na kuptojnë edhe ne. Nuk është gjithmonë e lehtë.”
NDRYSHIMI- “Unë mendoj se është ndryshimi më i madh mes Gjermanisë dhe Anglisë është sepse këtu ne nuk kemi lidhje të ngushtë me tifozët. Për shembull, në Gjermani keni seanca të hapura trajnimi, ku tifozët vijnë dhe bisedojnë me ju, ju pyesin pse. Këtu, gjithçka është e mbyllur”, përfundoi Xhaka.