Shkup, 24 korrik – Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim me resurset me të cilat disponon është vënë në funksion të ndihmës ndaj Republikës së Greqisë dhe nëse kërkohet një ndihmë e tillë, do të fillojë procedura për dërgimin e të njëjtës, informon drejtori i këtij institucioni, Adnan Xhaferovski.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë është në kontakt të përhershëm me autoritetet greke dhe është ofruar ndihmë që nga dita e djeshme. DMSH është trup operativ qeveritar dhe me resurset e saja është e gatshme të ndihmojë. Presim përgjigje nga ana e tyre. Nëse shprehin nevojë, do të fillojë procedura e dërgimit të ndihmës nga ana jonë”, ka deklaruar për MIA, Xhaferovski.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë bëri të ditur se se deri tani nuk kanë marrë kërkesë për ndihmë nga qytetarë të Maqedonisë në zjarret që përfshinë Greqinë dhe i rekomandon qytetarët e Republikës së Maqedonisë të shmangin udhëtimet në rajonet e Atikës apo rrethinën e Athinës.
Në Greqi, gjatë 24 orëve të kaluara, nga ora 6 e ditës së djeshme, deri në ora 6 mëngjesin e sotëm, janë regjistruar 47 zjarre. Numri i konfirmuar i viktimave nga zjarret është 49 persona, 156 të lënduar, ku 11 prej tyre janë në gjendje kritike.