Shkup, 22 prill – Kodi etik dhe zbatimi i tij konsekuent është proces të cilin duhet ta udhëheqim në mënyrë cilësore dhe jo vetëm ne prej kësaj përbërje mandatare por edhe të gjitha gjeneratat e ardhshme. Respektimi konsekuent i normave etike dhe morale nga ne deputetët, pa dallim nëse jemi nga pushteti apo nga opozita në mënyrë shumë pozitive do të ndikojë ndaj proceseve integruese, porositi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në fjalimin në trajnimin për “Masat për promovimin e Kodit etik dhe ngritjen e vetëdijes për përmbajtjen e tij”, në organizim të Komisionit për Çështje të rregullores, imunitetit dhe mandateve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Trajnimi i sotëm ka për qëllim të përcaktojë “Masat për promovimin e Kodit etik dhe ngritjen e vetëdijes për përmbajtjen e tij”. Mendoj se pikërisht këtu është edhe esenca dhe qëllimi pasi bëhet fjalë për atë se si Kodi Etik të bëhet pjesë e kulturës tonë politike. Ky nuk është proces i cili përfundon vetëm me trajnimin e sotëm por do të duhet në mënyrë permanente të zhvillohet. Gjithsesi, krahas deputetëve, në këtë proces duhet të kyçet edhe administrata e Kuvendit”, tha Xhaferi.
Ai theksoi se normat morale dhe etike nuk janë kategori statistikore, ato vazhdimisht zhvillohen dhe plotësohen me njëra-tjetrën.
“Ne prej kësaj përbërje mandatare i bëmë hapat e parë, kemi mundësi t’i njoftojmë dhe shfrytëzojmë përvojat e parlamenteve të tjera, që gjithsesi është përparësi e jona. Për çdo rast, besoj se kjo përbërje parlamentare dhe këtu mendoj për përbërjen e plotë, shumicën dhe opozitën kemi kapacitet dhe vullnet të ballafaqohemi edhe me këtë sfidë, të vetëdijshëm se respektimi i normave dhe parimeve etike dhe morale është diçka për të cilën nuk fitohet çmim ose dekorata, por është detyrë e jona”, theksoi Xhaferi.
Përkujtoi se Kuvendi në vitin 2018 solli Kod etik për deputetët, ndërsa në shkurt të këtij viti kemi bërë edhe disa ndryshime dhe plotësime të caktuara.
“Me këtë, si Kuvend i plotësuam rekomandimet e Këshillit të Evropës, më saktë rekomandimet e GREKO dhe njëherësh siguruam kornizë ligjore e cila do të jetë bazë e mirë për sjelljen etike të deputetëve në Kuvend, ndërsa në të njëjtën kohë edhe të pengohet përplasje e interesit publik dhe privat të deputetëve gjatë mandatit të tyre. Me këtë kod, Republika e Maqedonisë së Veriut hynë në atë grup më të vogël të shteteve evropiane të cilat kanë sjellë Kod për sjellje etike, gjegjësisht parime të kodifikuara etike dhe rregulla deontologjike të cilat e tejkalojnë kornizën e ashpër të rregullave ligjore. Në sjelljen e Kodit, i cili është publik dhe në dispozicion në ueb faqen e Kuvendit, patëm ndihmë të madhe prej miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht nga profesori i shquar Ferdinadn Melen – Sukramanien, deontolog i dikurshëm në Kuvendin Kombëtar të Francës”, saktësoi Xhaferi.