Xhaferi u takua me Kreune Asamblesë së madhe nacionale të Turqisë dhe Bullgarisë, Kahram dhe Karajançeva

Shkup, 26 mars – Në kuadër të Asamblesë 138. të Unionit interparlamentar (IPU), që mbahet në Gjenevë, Konfederata zvicerane, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi realizoi takime të veçanta me kryetarin e Asamblesë së Madhe Nacionale të Turqisë, Ismail Kahraman dhe kryetaren e Asamblesë Nacionale të Republikës së Bullgarisë, z-njën Cveta Karajançeva.

Takimet u realizuan me qëllim të këmbimit të mendimeve për ardhmërinë e Asamblesë Parlamentare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (AP e PBEJL). Kryetari i Kuvendit, Xhaferi ua prezantoi bashkëbiseduesve propozimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për tejkalimin e ngecjes shumëvjeçare për gjetjen e zgjidhjes për selinë e Sekretariatit të AP PBEJL, për të cilin janë kandidatë Parlamenti i Turqisë dhe ai i Bullgarisë. Propozimi fillimisht është prezantuar në Mbledhjen e Komitetit të Përhershëm që u mbajt më 16 dhe 17 mars në Bled, Slloveni dhe i njëjti ka hasur në pranim pozitiv te deputetët e vendeve pjesëmarrëse në AP të PBEJL. Duke nënvizuar se të dyja palët pa dyshim kanë argumente të fuqishme për pranimin e propozimit të tyre për selinë e Sekretariatit, Xhaferi vlerësoi se përderisa vendimi merret me konsensus ndërsa të dyja palët qëndrojnë fortë në propozimet e veta, është e pamundur të arrihet zgjidhje. Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë propozoi të mendohet për rotacion të selisë së Sekretariatit dhe emërimit të Sekretarit gjeneral të AP të PBEJL në periudhë pesëvjeçare, respektivisht derisa selia e Sekretariatit është në një nga vendet kandidate, Sekretari gjeneral të jetë përfaqësues i vendit tjetër dhe e kundërta.

Kryetari i Asamblesë Nacionale të Republikës së Turqisë, z. Ismail Kahraman dhe kryetarja e Asamblesë Nacionale të Republikës së Bullgarisë, z-nja Cveta Karajançeva, shprehën falënderim për propozimin të cilin e vlerësuan si hap pozitiv kah zgjidhja përfundimtare e çështjes për të cilën AP e PBEJL diskuton më shumë vite. U dakorduan që bisedat për këtë propozim të vazhdojnë me një dinamikë më të madhe në periudhën e ardhshme.

Bashkëbiseduesit ishin dakord se është e domosdoshme që sa më shpejt të formohet Sekretariati i Asamblesë Parlamentare të PBEJIL, me çka do të mundësohet ndikim politik më i gjerë dhe dukshmëri e PBEJL dhe do të përforcohet bashkëpunimi ndërmjet parlamenteve pjesëmarrëse në Proces, si edhe bashkëpunimi me asambletë tjera interparlamentare.

Në takimet e veçanta u këmbyen mendime për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin parlamentar ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, si edhe ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë.