Shkup, 26 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në takimin e sotëm protokollar i ka informuar eurodeputetët Ivo Vajgëll dhe Eduard Kukan për aktivitetet rrjedhëse në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe për ngjarjet e fundit në planin politik në vend.
Deputetët e Parlamentit Evropian, siç kumtoi pres-shërbimi i kanë shprehur kënaqësi për rezultatet e arritura dhe për stabilizimin e punës së shtëpisë ligjvënëse.
Ata shprehën gatishmëri që t’i përkrahin të gjitha aktivitetet të cilat do e kishin përmirësuar bashkëpunimin e shumicës parlamentare dhe opozitës, me qëllim që të rrumbullakohen proceset reformuese dhe vendi të lëvizë në kahe pozitive drejt aderimit në Bashkimin Evropian.
Në këtë takim, siç është theksuar, edhe njëherë u vërtetuan angazhimet e Parlamentit Evropian për përforcimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në drejtim të mbështetjes së proceseve eurointegruese të vendit dhe realizimit të proceseve reformuese të domosdoshme për marrjen e raportit pozitiv për përparimin e Republikës së Maqedonisë dhe për fillimin e negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në familjen evropiane.
Eurodeputetët Vajgëll dhe Kukan marrin pjesë në Konferencën e Komisioneve parlamentare për Çështje Evropiane dhe Integrime të shteteve të përfshira në procesin e Stabilizim Asociimit nga Evropa Juglindore – KOSAP, që mbahet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.