Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi u takua me ambasadorin slloven në vend, Milan Jazbec. Siç kumtoi Kabineti i Xhaferit, Jazbec i ka dorëzuar urim zyrtar Xhaferit nga kryetari i Parlamentit slloven për zgjedhjen e funksionit kryetar i Kuvendit dhe ka shprehur pritje të sinqerta se marrëdhëniet e deritanishme bilaterale në rritje mes dy vendeve do të vazhdojnë.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, duke shprehur falënderime për urimin ka theksuar se marrëdhëniet dypalëshe do të vazhdojnë në linjë të epërme edhe atë në të gjitha fushat. “Duke u përqendruar në ngjarjet e 27 prillit dhe situatën aktuale, kryetari i Kuvendit, Xhaferi theksoi se ai personalisht do të angazhohet për kthimin e integritetit institucional të Kuvendit dhe në përforcim të besimit të këtij institucioni. Ai pret që presidenti i shtetit ta plotësojë detyrimin e tij kushtetues dhe t’ia japë mandatin bartësit të shumicës parlamentare, me çka do të hapen proceset për konstituimin e trupave kuvendore, ndërsa me këtë edhe formimin e qeverisë së re. Pas kësaj, prioritet do të jenë ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe vazhdimi i mandatit të pushtetit aktual lokal, deri në vjeshtë, kur, shpreson, do të mbahen zgjedhjet lokale”, citohet në kumtesë. Ambasadori, siç kumtoi Kabineti i Xhaferit, ka nënvizuar se marrëdhëniet shumëdekadëshe të mirëkuptimit dhe miqësisë, mes dy shteteve dhe relacionet e afërta mes qytetarëve tanë, paraqesin kapital të madh dhe investim në të ardhmen.