Shkup, 20 shtator – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, deklaroi se gjeneratat e reja janë mbështetësit më të mëdhenj të realizimit të qëllimeve strategjike të shtetit, e ato janë anëtarësimi në NATO dhe BE, duke theksuar se në referendumin më 30 shtator të rinjtë pa dallim përkatësisë etnike, fetare ose partiake, masovikisht do të dalin dhe do të përcaktohen për integrimin e plotë të vendit në këto organizata, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeparlamentari këtë e tha sot në fjalimin përshëndetës gjatë hapjes së dialogut të nivelit të lartë për pjesëmarrje politike të të rinjve dhe politikave rinore me deputetët e Ballkanit Perëndimor me titutll “Zhvendosja e zbrazëtirës”, që sot dhe nesër mbahet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Në fjalimin e tij Xhaferi theksoi se një nga çështjet kryesore që parashtrohet kur flitet për të rinjtë në Maqedoni, ndërsa ngjashëm edhe në rajon është punësimi. Ai shprehu bindjen se gjatë konferencës, për këto çështje, dilema dhe sfida do të dëgjohen ide të reja dhe para së gjithash konstruktive, vendime, por edhe metodologji për atë si të vendoset dialogu i vërtetë dhe si të arrihet inkluzivitet më i madh i të rinjve në krijimin e politikave adekuate të cilat më vonë do të implementohen përmes procesit ligjivënës.
Sipas tij, pikërisht gjeneratat e reja, sipas hulumtimeve, janë mbështetësit më të mëdhenj të realizimit të qëllimeve strategjike të shtetit, e ato janë anëtarësimi në NATO dhe BE.
“Këtë e permend për arsye se si shtet dhe si shoqëri, jemi të drejtuar para një vendimi me të vërtetë histroik. Gjegjësisht, e dini se më 30 shtator kemi referendum në të cilin qytetarët do të duhet të prononcohen nëse janë për Maqedoni evropiane. Jam i bindur se të rinjtë, natyrisht ato me të drejtë vote, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare apo politike, masovikisht do të deklarohen ‘për’ në referendum dhe me këtë edhe për përcaktimin tonë strategjik për integrim të tërësishëm në NATO dhe BE”, porositi Xhaferi.
Gjatë këtij eventi parashihen më shumë punëtori me temën “Pjesëmarrja e të rinjve në politikë”, “Punësimi tek të rinjtë, rritja dhe ikja e trurit”, “Lajmet e rrejshme dhe dezinformatat” dhe “Pajtimi dhe trashëgimia e së kaluarës”, pas çka do të mbahen panele në punëtori.