Pasi Spanja e formoi Qeverinë dhe u hap rruga për ratifikim të Protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, hidhet poshtë edhe mundësia që Kuvendi në vend ta ratifikojë Protokollin e kushtëzuar të propozuar ditë më parë nga Qeveria, raporton TV21.
Siç sqaroi në linjë telefonike kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi procedura për ratifikim të Protokollit tash është shumë më e lehtë, dhe pret që në afat sa më të shpejtë i njëjti të përfundojë në Spanjë.
Xhaferi gjithashtu sqaroi se në këtë moment nuk do të ketë nevojë të shpejtohet me ratifikimin e Protokollit të kushtëzuar, pasi tashmë Spanja mund ta ratifikojë të njëjtin para shpërndarjes së Kuvendit të vendit tonë që është caktuar për më 12 shkurt.
Paraprakisht njohësit kanë vlerësuar se Spanja me formimin e Qeverisë mundet që Protokollin për anëtarësim të shtetit tonë në NATO ta ratifikojë për 15 ditë. Nëse kjo ndodh, atëherë procedura përfundon nga të gjitha shtetet, dhe Protokolli pritet të miratohet vetëm në Kuvendin e vendit tonë.