Shkup, 27 mars – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi sot realizoi takim me sekretarin e përgjithshëm të Nismës Adriatiko-Joniane ambasadorin Xhovani Kastelaneta, i shoqëruar nga anëtarët e Sekretariatit dhe drejtori i përgjithshëm për çështje multilaterale në MPJ të Malit të Zi Ivan Ivanisheviq, në funksion të vendit kryesues me Nismën.
Xhaferi, siç informojnë nga kabineti i tij, ka theksuar se përpjekja afatgjate për anëtarësim të vendit në këtë Nismë, pas tejkalimit të kontestit me Republikën e Greqisë, u bë realitet dhe ai është kryetari i parë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili ka marrë pjesë në mbledhje të kryetarëve të Parlamenteve në Mal të Ti para disa javësh.
Në takim, Xhaferi, gjithashtu i ka informuar bashkëbiseduesit se të gjitha institucionet në vend me përkushtim kanë punuar në përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe për tejkalimin e të gjitha çështjeve të hapura, të cilat janë në drejtim të perceptimit për rajonin si fuçi-pluhur dhe gjenerator konflikti.
“Anëtarësimi në këto nisma kontribuon për lidhshmëri më të madhe rajonale, por edhe për stabilitet më të madh politik dhe ekonomik. Duke e marrë parasysh se mes fushave prioritare të nismës janë turizmi dhe kultura të cilat u mundësojnë vendeve më afër të njoftohen dhe së bashku të bashkëpunojnë, mbesim të hapur për bashkëpunim në të gjitha fushat nga interesi i përbashkët me të gjitha vendet anëtare”; ka potencuar Xhaferi.
Ambasadori Kastelaneta, informojnë nga pres-shërbimi kuvendor, ka dërguar urime për anëtarësimin e vendit në Nismën Adriatiko-Joniane, duke shprehur pritje për bashkëpunim më të ngushtë, bartje të përvojave, përkrahje dhe ndarje të kulturës nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut me vendet tjera të Nismës.
Për to, sipas Kastelanetas, segment të rëndësishëm ka bashkëpunimi parlamentar, sepse parlamentet shërbejnë si link për lidhshmëri me qytetarët. Ai e ka ofruar ndihmën e tyre për qeverinë dhe administratën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që vendi të mund t’i plotësojë obligimet e tij dhe të jetë partner konstruktiv në suaza të Nismës.
Në takim, gjithashtu, është biseduar edhe për proceset aktuale në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kontekst të anëtarësimit në NATO dhe në lidhje me përgatitjet në pritjen e datës zyrtare për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.