Beograd, 17 tetor – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në kuadër të ditës së fundit të Asamblesë së 141-të Unionit interparlamentar në Beograd sot u takua me nikoqirin e Asamblesë së 141-të të Unionit interparlamentar, kryetaren e Kuvendit popullor të Serbisë, Maja Gojkoviq.
Në takimin janë këmbyer informata për marrëdhëniet bilaterale dhe ngjarjet aktuale në dy vendet, posaçërisht në lidhje me eurointegrimet.
“E diskutuam çështjen rreth raportit të BE-së ndaj vendeve të reja kandidate dhe kemi bërë një analizë për sjelljen e mëtejshme të BE-së. U pajtuam se duhet të vazhdojnë përpjekjet për anëtarësim në BE, por i pakuptueshëm është për të dy palët qëndrimi i fuqishëm i Francës lidhur me negociatat, së pari të bëhen reforma në BE dhe më tej të vazhdohet me procesin e zgjerimit, gjë që është në kundërshtim me vet raportin e KE-së për përparimin e vendeve kandidate”, tha Xhaferi.
Sipas tij, në kuadër të IPU dhe në sesione, Maqedonia e Veriut ka marrë përkrahje për hapje të negociatave paraqasëse.
“Shumica e pjesëmarrësve, mes të cilëve edhe nga BE-ja, siç ishte kryetari i Këshillit kombëtar të Austrisë, Sobotka dhe kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, e kanë theksuar këtë çështje se duhet të tejkalohet dhe të hapen negociatat paraqasëse me BE-në. Shkupi e ka përkrahur dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për të dy palët” deklaroi Xhaferi pas takimit me Gjokoviq, duke shtuar se u bisedua edhe për hapjen e vendkalimit të ri kufitar Lojan – Miratoc.
Bashkëbiseduesit u pajtuan se diplomacia parlamentare paraqet segment të rëndësishëm për punën e përditshme parlamentare dhe mundësi për promovimin e aktiviteteve të parlamenteve jashtë kufijve të shtetit, por edhe mundësi për ndarjen e përvojave të përbashkëta dhe praktika të mira.
Në Beograd sonte u miratua edhe Deklarata e Beogradit në Asamblenë e përgjithshme të IPU-s, me çka përfundoi puna e asamblesë, ku morën pjesë 1.700 përfaqësues nga mbi 140 vende-anëtare të Unionit interparlamentar dhe 70 kryetarë të parlamenteve, mes të cilëve edhe delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga kryetari Talat Xhaferi.