Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot u takua me ambasadoren e Republikës së Turqisë në Maqedoni, Tulin Erkal Kara.
“Duke e uruar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ambasadorja Tulin Erkal Kara theksoi se në Republikën e Turqisë po ndiqen ngjarjet në Republikën e Maqedonisë dhe tejkalimi i krizës politike, pa u përzier në punët e brendshme të vendit. Ajo theksoi se si politikane shumëvjeçare dhe ish-deputete ka qenë e shqetësuar thellë prej ngjarjeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill 2017 dhe shfaqi shpresë se me zgjedhjen e qeverisë së re do të tejkalohet jostabiliteti politik në vend”, thuhet në kumtesën e sotme të pres shërbimit kuvendor.
Xhaferi ka theksuar se e vlerëson lart miqësinë me Republikën e Turqisë, veçanërisht bashkëpunimin e frytshëm që e ka realizuar me homologët e tij turk si ish ministër i Mbrojtjes dhe ish shef i Delegacionit të Asamblesë parlamentare të NATO-s. Ai ka shfaqur shpresë se bashkëpunimi i frytshëm i nivelit parlamentar do të vazhdojë të thellohet, si midis kryetarëve të dy kuvendeve ashtu edhe midis grupeve parlamentare për bashkëpunim dhe miqësi. Lidhur me ngjarjet e 27 prillit, kryetari i Kuvendit theksoi se janë ndërmarrë masa parandaluese që ngjarjet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
Bashkëbiseduesit janë pajtuar se marrëdhëniet gjithëpërfshirëse midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë karakterizohen me miqësi tradicionale, mirëkuptim të ndërsjellë dhe bashkëpunim aktiv dhe shfaqën bindje se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen.