Shkup, 24 qershor – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut realizoi takim me drejtoreshën e Projektit për praktikë parlamentare Lindje – Perëndim, Xhil Adler, menaxheren e projektit Elena Sabotina dhe Zoran Shapuriq, ministër pa Resor i ngarkuar për rregullativë për përmirësimin e klimës investuese për ndërmarrjet vendore në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, njofton Koha.mk
“Pas përshëndetjeve hyrëse të mirëseardhjes të të dy bashkëbiseduesve, Kryetari Xhaferi dhe Adler e rikujtuan bashkëpunimin që kjo organizatë e ka pasur me Kuvendin në të kaluarën dhe e cila ka rezultuar me disa projekte të përfunduara me sukses. Misioni i projektit për praktikë parlamentare Lindje – Perëndim është përforcimi i demokracisë parlamentare, promovimi i transparencës dhe përgjegjësisë në menaxhimin dhe dhënien e mbështetjes së participimit civil në procesin e marrjes së vendimeve. Kryetari Xhaferi e njoftoi Adlerin me ngjarjet aktuale parlamentare. Ajo e shprehu mendimin e saj pozitiv për përparimin e shkëlqyer që e ka realizuar Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar dhe drejtoi urime për dinamikën e shpejtë të ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në parlamentet nacionale”, thuhet në kumtesën e kabinetit të Xhaferit.
Kryeparlamentari e theksoi rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit parlamentar. Gjatë bisedës ai e potencoi bashkëpunimin e suksesshëm me organizatat ndërkombëtare dhe donatorë që e mbështesin përforcimin e kapacitetit, avancimin dhe modernizimin e funksionimit dhe punës së Kuvendit.
Me këtë rast, theksoi se në kuadër të Kuvendit, deputetët formojnë grupe të cilat më tutje koncentrohen në çështje të caktuara që e prekin shoqërinë. Po ashtu sugjeroi se Kuvendi është i hapur për bashkëpunim në fushat që janë të rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. (koha.mk)