Tiranë, 14 shkurt – Kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, pas votimit të Protokoliit për anëtarësimin e vendit në NYATO në Parlamentin shqiptar, me 130 vota “për, asnjë kundër, shfaqi falënderim të madh për mbështetjen që Shqipëria ia jep vendit, raporton Koha.
Kryetari Xhaferi tha se Shkupi është përkushtuar në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, sociale apo çfarëdo tjetër.
“Punojmë shumë në drejtim të bërjes së reformave në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe ky proces nuk është aspak i lehtë por, synimi ynë është shtet me të vërtetë demokratik me sundim të të drejtës dhe me institucione funksionale në shërbim të qytetarëve, prandaj punojmë me përkushtim. Paraprakisht, u përqendruam maksimalisht në mbylljen e çështjeve që e ngarkonin rrugëtimin tonë kah arritja e përcaktimeve tona strategjike, gjegjësisht anëtarësimin e plotfuqishëm në NATO dhe BE. Nënshkruam Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë. Nënshkruam Marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Republikën e Greqisë. Miratuam ndryshimet kushtetuese, gjë që nuk ishte aspak e lehtë dhe shkaktoi protesta në të dyja anët, gjë që flet vetvetiu se Marrëveshja është një kompromis vin-vin, ku të gjithë janë fitimtarë dhe të gjithë janë humbës. Por, në fakt, fitoi largpamësia dhe guximi i shumicës parlamentare, fitoi vizioni për ardhmërinë e sigurt dhe fituan qytetarët tanë. E dinim ku duam të jemi dhe nuk hezituam në asnjë çast, pa dallim në vështirësitë, sepse qytetarët tanë meritojnë të jenë qytetarë të lumtur, me të drejta dhe liri të barabarta, me vlera dhe standarde evropianë, me mundësi dhe shanse të njëjta. Dhe, nuk ishim dhe nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim. Çdoherë i kemi pasur pranë miqtë dhe partnerët e vërtetë dhe për këtë jemi mirënjohës pa masë”, deklaroi Xhaferi.
Ai tha se shpreson se deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2020, Protokolli për anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, që u nënshkrua ana e 29 ambasadorëve të shteteve anëtare, do të ratifikohet edhe në të gjitha 29 parlamentet nacionale, me Republikën e Maqedonisë së Veriut do të bëhet zyrtarisht anëtarja e 30-të.
“Me ratifikimin e sotëm të Republikës së Shqipërisë dhe populit shqiptar edhe njëherë e konfirmoi raportin miqësor ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ndaj qytetarëve të saj. Jeni të sigurt se ne këtë do e mbajmë mend gjithmonë, dhe gjithmonë kemi ditur t’i respektojmë dhe vlerësojmë miqtë tanë të vërtetë – Shqipëria dhe shqiptarët janë pikërisht kjo”, theksoi Xhaferi.
Në seancë fjalim mbajti edhe kryeministri Edi Rama, i cili lartë i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e theksoi mbështetjen e Tiranës për Shkupin.
“Nuk mund ta fsheh kënaqësinë që ky moment ndeshet me një moment të artë në marrëdhëniet ndëretnike në vend, në çfarë shumica në pushtet luan rol të rëndësishëm. Pa shqiptarët nuk do të ekzistonte Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa për Shqipërinë identiteti territorial i Maqedonisë së Veriut jo vetëm që është i paprekshëm, por dhe me rëndësi vitale dhe për të ardhmen tonë të tanishme dhe për të ardhmen, paqja dhe stabiliteti. Roli ynë në këtë proces historik ishte mbështetja. gjendja e qetë është fillimisht meritë e liderëve politikë shqiptarë dhe të kryeministrit Zoran Zaev, të cilin e përshëndes”, tha mes tjerash Rama.
Megjithatë, seancën e la nën hije incidenti, kur deputeti të grupit të deputetëve të Partisë Demokratike opozitare Edi Paloka, njëherit edhe nënkryetar i partisë, derdhi ngjyrë mbi kryeministrin Edi Rama, pas ishte larguar nga salla e Kuvendit.
Incident vijoi pasi kryeministri Rama, iu drejtua liderit të demokratëve Lulzim Basha, i cili më shumë foli për “krimin e Qeverisë” sesa për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, duke thënë se “fëmija nuk e di çka bën dhe çka flet” se nuk është momenti as për shkak të tragjedisë në Maqedoni. Rama i kërkoi ndjesë kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili mori pjesë në seancë. (koha.mk)