Shkup, 18 janar 2018 (MIA) – Vetëm me dialog konstruktiv me fqinjët lidhur me çështjet kontestuese dhe me angazhim aktiv të institucioneve dhe të gjitha subjekteve politike në përmbushjen e Planit 3-6-9, do të finalizohet “puna e papërfunduar” nga Samiti i Bukureshtit i NATO-s në vitin 2008, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në takimin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.
Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, në fillim të takimit shprehi falënderim të madh për përkrahjen e dhënë nga Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe shumicës së re parlamentare, si edhe në raport me proceset reformuese në shoqëri dhe në planin e integrimit të përshpejtuar të shtetit në NATO.
Ai theksoi se Republika e Maqedonisë, tashmë 18 vite me sukses e përpilon Planin vjetor për anëtarësim në NATO, për çka ai, edhe si zëvendësministër dhe ministër i mëparshëm i Mbrojtjes, ka pasur angazhim të madh dhe pjesë në përpjekjet për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.
Kryetari Xhaferi e njoftoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s me agjendën e Kuvendit në planin e përmirësimit të rregullativës ligjore në sektorin e sigurimit, me ç’rast do të sigurohet mbikëqyrje parlamentare cilësore dhe demokratike.
Stoltenberg, ndërkaq, e potencoi përkrahjen e mëtutjeshme të NATO-s në përmbushjen e agjendës ambicioze reformuese të Qeverisë së re, veçanërisht në planin e sundimit të të drejtës, përforcimit të shoqërisë multietnike dhe parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, si edhe mbajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Si hap pozitiv në këtë drejtim, sekretari i përgjithshëm i NATO-s e ceki ratifikimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, me të cilën hapet një kapitull i ri dhe cilësor në kontekstin rajonal.
NATO, theksoi, me vëmendje të madhe e përcjell progresin në funksionimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, veçanërisht pas ngjarjeve të pakëndshme të 27 prillit të vitit të kaluar, për arsye se beson se Kuvendi është platforma për punën e përbashkët të pushtetit dhe opozitës, nëpërmjet dialogut real politik, të punojnë në mënyrë konstruktive për të mirën e të gjithë qytetarëve. NATO veçanërisht e vlerëson kontributin real të Republikës së Maqedonisë në misionet paqësore të NATO-s, ku Republika e Maqedonisë çmohet si partner shumë cilësor dhe i respektuar.
Stoltenberg nënvizoi se NATO-ja edhe më tutje e inkurajon Republikën e Maqedonisë që të vazhdojë guximshëm në tejkalimin e pengesës themelore e cila është parakusht për anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë në Aleancën e NATO-s.
“Përkrahja e dhënë në Samitin e NATO-s në Bukuresht, dhe e përsëritur në dy samitet në vijim, akoma mbetet dhe është në drejtim të anëtarësimit më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë si shtet anëtar i 30-të në NATO”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në takim ishin të pranishëm koordinuesit e grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, të BDI-së, Ejup Alimi, Frosina Tashevska Remenski, kryetare e Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe Cvetanka Ivanova, Sekretare e përgjithshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.