Shkup, 18 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot ka qenë i pranishëm në aktivitetet me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, njofton Medial.mk.
Në Akademinë solemne që u mbajt në komunën e Suharekës, kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferin e shpallën “Qytetar nderi” të komunës së Suharekës. Mandej, vizita vazhdoi në Prishtinë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku u mbajt seancë solemne me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në vazhdim e përcjelli paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe policisë së Kosovës, së bashku me të gjithë mysafirët tjerë.
Shënimi i dhjetëvjetorit të pavarësisë vazhdoi me pritje shtetërore dhe koktej nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.